
Banka e Shqipërisë do të zhvillojë sot ankandin për shitjen e një obligacioni me vlerë 120 milionë euro, për llogari të qeverisë. Borxhi do të merret në tregun e brendshëm dhe obligacioni ka një afat maturimi 2 vjeçar. Ekzekutivi po merr borxh te qytetarët, si një zgjidhje për të gjeneruar para në këto ditë të vështira për buxhetin e shtetit.
Kjo është hera e shtatë që Banka e Shqipërisë emeton një obligacion në euro. Në gjashtë obligacionet e mëparshme në valutë, shuma e shpallur ka variuar mes 25 dhe 50 milionë euro, duke e bërë ankandin e ditës së sotme më të madhin në histori, sa i përket obligacioneve të emetuar në euro. Ankandi nuk ishte planifikuar, ç’ka dëshmon se ai është diktuar nga situata.
Sigurimi i borxhit në tregun e brendshëm është një zgjidhje e mirë, në kushtet kur depozitat e shqiptarëve në sistemin bankar, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë arritën në fund të janarit të këtij viti në 1,04 trilionë lekë, shumë e barabartë me rreth 8,4 miliardë euro.
Duke marrë borxh në tregun vendas, qeveria u shpëton interesave të larta në tregun ndërkombëtar, ndërkohë që paratë që mbeten ia jep qytetarëve të saj dhe jo një shteti tjetër. Ajo që nuk dihet ende është se ku do të përdoret ky borxh. Edhe pse tashmë qeveria e ka pranuar situatën e vështirë ekonomike dhe buxhetore në vend. Kjo duke pasur parasysh mosrealizimin e fortë të të ardhurave në këtë periudhë, por edhe performancën e dobët përpara emergjencës shëndetësore të COVID-19. (A2 Televizion)