
Qeveria ka dërguar në Kuvend ndryshime në ligjin e PPP-ve, pas kritikave të forta që iu janë bërë kontratave koncensionare të formës së Partneritetit Publik Privat.
Drafti i hartuar nga Ministria e Financave parashikon që pas datës 1 korrik 2019 nuk do të jetë më e mundur të propozohen nga sektori privat projekte koncesioni/PPP, në formën e propozimit të pakërkuar për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve.
Një parashikim tjetër i këtij projektligji është edhe shfuqizimi i sistemit të shpërblimit me pikë bonus të propozuesve të pakërkuar dhe zëvendësimi i tij me mekanizmin e kompensimit, i cili konsiston në kompensimin në vlerë monetare për shpenzimet e kryera për përgatitjen e studimit të fizibilitetit nga propozuesi i pakërkuar, në rast se ky i fundit nuk shpallet fitues.
Gjithashtu, financat kanë parashikuar në draft raportimin periodik mbi ecurinë së këtyre kontratave. Në këtë projektligj është parashikuar edhe krijimi i një organi kolegjial, Komiteti i Përzgjedhjes së Projekteve të Koncesionit/PPP, i cili do të përzgjedhë projektet e koncesionit, që do të asistohen me ekspertizë të specializuar, për hartimin e studimeve të fizibilitetit dhe edhe për të bërë oponencën e tyre.
Shqetësimet e FMN për PPP-të. A reflektoi qeveria?
Por a kanë reflektuar ndryshimet që qeveria i ka bërë ligjit të PPP-ve rekomandimet e institucioneve financiare ndërkombëtare, si FMN dhe Banka Botërore? Shqetësimet kryesore në fakt nuk janë adresuar.
Që prej lançimit nga qeveria të programit 1 miliard të PPP-ve, Fondi Monetar kërkoi kontabilizimin e kostove të këtyre projekteve në buxhet. E thënë ndryshe përllogaritjen e tyre te borxhi publik, gjë që qeveria ende nuk e ka bërë. Gjithashtu, FMN kërkoi eliminimin e ofertave të pakërkuara, procedurë që qeveria e ka shtyrë për 1 korrik 2019.Institucionet financiare ndërkombëtare i kanë mëshuar transparencës dhe garës në përzgjedhjen e kompanive, si dhe ndjekjes në vijueshmëri të zbatimit të projektit, gjë që qeveria e ka bërë pjesërisht nëpërmjet ndryshimit ligjor të raportimit mbi ecurinë e kontratave koncensionare.
(A2 Televizion)