“Situata në Lampeduza është e papërballueshme”. Me këto fjalë, kryebashkiaku i ishullit italian në Mesdhe i kërkoi qeverisë të reagojë menjëherë ndaj fluksit të emigrantëve në vend, ose në të kundërtën do të ketë grevë të përgjithshme.
Paralajmërimi vjen pas zbarkimit të rreth 370 emigrantëve mbrëmjen e së shtunës. 500 emigrantë të tjerë kishin mbërritur gjatë 24 orëve me rreth 30 varka më të vogla, e kjo ka nxitur alarmin për një emergjencë të re dhe ka nxjerrë në protesta banorët e ishullit.
Ata thonë se janë të lodhur nga kjo situatë dhe kërkojnë riatdhesimin e menjëhershëm të emigrantëve. Shumë prej të zbarkuarve u shpëtuan nga anija “Louise Michel”, e financuar nga artisti britanik Banksi.
Agjencia e OKB për refugjatët kërkon që emigrantët e ardhur nga Afrika të lejohen të zbarkojnë në mënyrë të sigurt në breg. (A2 Televizion)