Mijëra njerëz u mblodhën në Maqedoninë e Veriut të hënën për të kërkuar drejtësi për 59 personat që humbën jetën si pasojë e zjarrit në klubin e natës në Koçan, dhe për të kërkuar fundin e korrupsionit, që sipas tyre solli tragjedinë më të rëndë ndër vite.
Flakët shpërthyen gjatë një koncerti hip hop në orën 3:00 të mëngjesit të së dielës, kur shkëndijat e mjeteve piroteknike që po përdoreshin nga grupi muzikor i vunë flakë tavanit. Qindra njerëz u turrën drejt daljes së vetme të objektit që operonte pa licencë e që ishte tejmbushur përtej kapaciteteve, teksa flakët përhapeshin me shpejtësi përgjatë tavanit.
“Nuk po vdesim nga aksidentet por nga korrupsioni”, lexohej në disa prej pankartave.
Dhuna shpërtheu kur një grup personazh hodhi gurë për të thyer dritaret e një pub-i që sipas protestuesve drejtohej nga i njëjti person që kishte në pronësi edhe klubin e natës “Pulse” ku ndodhi tragjedia.
“Dua burgosjen e të gjithë atyre që ndihmuan këtë vend të vijonë punën. Duam ndryshim pasi ky është një vend i korruptuar”.
Ngjarja ku mbetën të plagosur edhe mbi 150 persona, ka tronditur qytezën me 25 mijë banorë, 80 km në lindje të Shkupit. Buldozierë dhe punëtorë me lopata janë angazhuar për hapjen e një parcele të re varresh, ku do të prehen viktimat e reja të tragjedisë.
Ndërkohë, qytetarë që kanë humbur familjarët e tyre u vunë në radhë para spitalit në Koçan për të ndihmuar me ADN e tyre, për identifikimin e viktimave.
Autoritetet maqedonase thanë se klubi i natës operonte me një licencë të falsifikuar dhe se ambienti nuk ishte i pajisur me fikëse zjarri dhe dalje emergjence. Prokurori Ljupco Kocevski tha se objekti të cilin mediat e kanë përshkruar si ish-depo qilimash, kishte një tavan të përbërë nga material të djegshëm, ndërsa muret prej gipsi nuk ishin rezistente nga zjarri. Kishte vetëm një dalje emergjente, e cila ishte e kyçur gjatë koncertit të së dielës, dy fikëse zjarri dhe asnjë sistem alarmi. Autoritetet kanë arrestuar 20 persona lidhur me ngjarjen, përfshirë zyrtarë të qeverisë dhe menaxherin e lokalit. Siç thuhet, mbi 50 persona po trajtohen në spitalet e Bullgarisë, Greqisë, Serbisë dhe Turqisë. (A2 Televizion)