Tragjedi në Maqedoninë e Veriut, zjarri në diskotekë vret 59 të rinj, plagosen 160 të tjerë

Nga Armand Bajrami
16 Mars 2025, 14:05 | Ballkani

Ky është momenti kur fishekëzjarret e përdorur gjatë shfaqjes së një bande muzikore në një klub nate në qytetin Koçan të Maqedonisë së Veriut, i vënë flakën tavanit të skenës. Ajo që pasoi këtë çast ishte tragjike.

Në mëngjes u mësua se mbi 50 persona humbën jetën dhe më shumë se 150 të tjerë mbetën të lënduar nga zjarri që përfshiu gjithë godinë, ndërkohë që shifrat ndryshuan gjatë ditës.

Ngjarja u shënua në orët e para të mëngjesit të së dielës në klubin e quajtur “Pulse” që qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, në një kohë që në diskotekë mendohet se ndodheshin gati 1500 klientë.

Sipas një raporti nga drejtoresha e Spitalit në Koçan, dr. Kristina Serafimovska, viktimat janë të moshës nga 14 deri në 25 vjeç dhe vijnë nga qytetet e Shkupit, Shtipit, Koçanit dhe Probishtipit.

Zyrtarja e spitalit ka shtuar se 70 pacientë me djegie dhe helmime nga monoksidi i karbonit janë transportuar në spital, ndërkohë që disa prej tyre kanë ndërruar jetë gjatë pranimit.

Të lënduarit janë dërguar në qendrat spitalore në Koçan, Shtip dhe Shkup.

Deri në orët e mesditës të së dielës, të paktën 18 nga të lënduarit ishin në gjendje kritike për jetën.

Ngjarja ka ngritur në këmbë shtetin e fqinj, që ka angazhuar me urgjencë të gjithë kapacitetet institucionale, ndërkohë që deri në mesdite ende nuk kishte një raport me identitetin e fatkeqëve që humbën jetën nga zjarri.

Gjatë ditës autoritetet vendase kanë publikuar gjatë ditës në mediat lokale lista me emrat e personave të plagosur dhe spitalet se ku po kuroheshin, si edhe tre numra telefonikë kontakti për ndihmë psikologjike.

Në një dalje publike, ministri i Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se, sipas dyshimeve fillestare zjarri ka ndodhur si pasojë e mjeteve pirroteknike të përdorura për efekt ndriçues në klub.

Sipas autoriteteve vendase, për shkak të materialeve lehtësisht të djegshme, zjarri ka marrë menjëherë përmasa të mëdha, duke krijuar në diskotekë tym të dendur.

Videot amatore të momentit të para të zjarrit bënë xhiron e rrjeteve, si në këtë pamje ku teksa flaka po përparon, një nga anëtarët e grupit muzikor DNA i kërkon klientëve të dalin jashtë.

Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut njoftoi se të gjitha shërbimet kompetente, përfshi edhe një prokuror nga Prokuroria Publike e Koçanit, janë në terren, ku edhe kanë nisur hetimet për ngjarjen. Sipas të dhënave paraprake, ushtronte aktivitet pa një licencë prej marsit të vitit të shkuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos