
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, një bashkëpunëtor i ngushtë i liderit populist Hugo Chávez, mori detyrën pas vdekjes së këtij të fundit nga kanceri në 2013. CNN shkruan se ish-shoferi i autobusëve dhe udhëheqësi i sindikatave nuk ka pasur kurrë bazën popullore apo karizmin e Chavez, dhe fitorja e tij në zgjedhjet presidenciale të 2013 u kontestua nga opozita.
Sipas CNN, gjatë 12 viteve në pushtet, Maduro ka drejtuar një vend që ka përjetuar kriza të thella sociale dhe ekonomike, pasojë e menaxhimit të dobët të industrisë kritike të naftës dhe një vale sanksionesh nga SHBA. Në 2017 ai tentoi të zgjerojë kompetencat e presidentit për të anashkaluar Asamblenë Kombëtare, e kontrolluar nga opozita, ndërsa kryeqyteti Karakas u përfshi nga protesta masive.
Në 2018, Maduro fitoi një mandat të ri gjashtëvjeçar në zgjedhje që u denoncuan gjerësisht si të paligjshme nga komuniteti ndërkombëtar dhe liderët opozitarë. Administrata e parë e Trump e akuzoi atë për narko-terrorizëm në 2020, duke pretenduar se Maduro dhe disa zyrtarë të lartë kishin bashkëpunuar me FARC, duke futur tonelata kokainë në SHBA.
Presioni ndaj regjimit është rritur me masa ekonomike dhe ushtarake, ndërsa në gusht 2020, Prokuroria e Përgjithshme e SHBA ofroi 50 milionë dollarë shpërblim për informacion që të çojë në arrestimin e Maduro. Gruaja e tij, Cilia Adela Flores de Maduro, avokate dhe deputete në Asamblenë Kombëtare për dhjetë vitet e fundit, ka luajtur një rol të rëndësishëm politik pranë tij.
Gjatë 12 viteve në pushtet, Maduro ka mbajtur kontrollin mbi vendin, por regjimi mbetet i përfshirë në kriminalitet, korrupsion dhe akuzat e manipulimit zgjedhor, duke e bërë Venezuelën një nga vendet më të izoluar dhe të tensionuara në Amerikën Latine. (A2 Televizion)




