
Qeveria e Venezuelës ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për atë që e cilësoi si një “agresion ushtarak shumë serioz dhe të rëndë”, pas shpërthimeve të raportuara gjatë orëve të para të së shtunës në kryeqytetin Karakas dhe në disa rajone të tjera të vendit.
Në një deklaratë zyrtare, autoritetet venezueliane thanë se sulmet kanë shënjestruar Karakasin si dhe shtetet Miranda, Aragua dhe La Guaira, duke e konsideruar situatën një akt të drejtpërdrejtë agresioni nga SHBA.
Presidenti Nicolás Maduro ka firmosur shpalljen e gjendjes së emergjencës dhe ka urdhëruar aktivizimin e të gjitha planeve të mbrojtjes kombëtare, “në kohën dhe rrethanat e duhura”, thuhet në deklaratë. Qeveria u ka bërë thirrje gjithashtu forcave sociale dhe politike të vendit që të mobilizohen për mbrojtjen e Venezuelës, shkruan A2 CNN.
“Të gjithë populli i Venezuelës dhe Forcat e Armatosura Kombëtare Bolivariane, në unitet të plotë popullor-ushtarak-policor, janë të dislokuara për të garantuar sovranitetin dhe paqen,” thuhet më tej në reagim.
Autoritetet njoftuan se do të depozitojnë ankesa zyrtare pranë Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë, duke kërkuar dënimin e SHBA-së. (A2 Televizion)