500 dronë e raketa mbi Ukrainë, Zelenski takon aleatët: Shtoni trysninë ndaj Moskës, ndalni agresionin

Nga Rosalba Bejdo
3 Shtator 2025, 14:42 | Bota

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski do të kërkojë shtimin e trysnisë ndaj Moskës gjatë takimeve me aleatët në Danimarkë dhe Francë, pasi forcat ruse kanë intensifikuar sulmet ajrore ndaj Ukrainës, duke dëmtuar infrastrukturën energjetike dhe të transportit, shkruan A2 CNN. Moska lëshoi më shumë se 500 dronë dhe dhjetëra raketa, duke goditur 14 lokacione në të gjithë vendin dhe duke plagosur katër punonjës hekurudhorë. Në një deklaratë në platformën Telegram, presidenti Zelenski i cilësoi këto si sulme demonstrative.

“Agresioni vazhdon për shkak të mungesës së trysnisë së mjaftueshme, veçanërisht ndaj ekonomisë së luftës së Rusisë”, ishin fjalët e Zelenskit.

Presidenti ukrainas tha se do të marrë pjesë në një samit me shtetet baltike dhe nordike të mërkurën dhe më pas planifikon të udhëtojë drejt Francës, ku do të takohet me aleatë të BE-së dhe SHBA-së për të diskutuar mbi hapat e radhës të koalicionit të vullnetarëve, grupi i vendeve që kanë premtuar të ndihmojnë Ukrainën.

Mes shtysës ndërkombëtare për të ndërmjetësuar fundin e luftës, Kievi po ngulmon për garanci sigurie që do të parandalonin çdo sulm të mundshëm të Rusisë në të ardhmen. Shefi i NATO-s, Mark Rutte, tha se pret pozicione të qarta në takimin e së premtes në Paris, mbi atë që koalicioni mund të bëjë sa i përket garancive për Kievin.

Presidenti amerikan Donald Trump ka sugjeruar se SHBA mund të mbështesin çdo plan paqeruajtës europian, por se nuk do të dërgojnë ushtarë në Ukrainë. Ndërkohë, Moska ka kundërshtuar dërgimin e trupave paqeruajtëse perëndimore në Ukrainë, duke paralajmëruar për rrezikun e përplasjes direkte NATO-Rusi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos