
Kryeministrja e Lituanisë ka thënë se bëhet fjalë për “një sulm hibrid” kur ka folur për qindra balona meteorologjike që fluturuan përgjatë kufirit nga Bjellorusia, duke shkaktuar kaos në aeroporte. Por, incidentet tregojnë gjithashtu për një rrjet të gjerë dhe të vjetër kontrabande, që thuhet se ka lidhje të nivelit të lartë në Minsk.
Duke fluturuar në një lartësi prej rreth 13 kilometrash, balonat u shtuan aq shumë në fund të tetorit saqë detyruan mbylljen e disa aeroporteve, duke ndikuar në rreth 140 fluturime dhe 20.000 udhëtarë.
Më 29 tetor, Lituania – anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian – mbylli kufirin me Bjellorusinë për një muaj, dhe kryeministrja Inga Ruginiene tha se kjo masë mund të zgjatet “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.
Por, vetë balonat nuk janë fenomen krejtësisht i ri.
Tregu i zi i duhanit
Shfaqja e tyre në qiellin mbi dy vendet daton që nga koha kur autoritetet lituane vendosën ta luftonin kontrabandën e cigareve me kamionë përgjatë kufirit.
Në vitin 2023, doganat lituane sekuestruan 11.9 milionë pako cigaresh. Po atë vit, ata nisën instalimin e sistemeve të reja të kontrollit me rreze X në pikat kufitare. Ishte gjithashtu viti kur shërbimi kufitar lituan raportoi për tri balona që mbërritën me cigare të kontrabanduara.
Vitin e kaluar, shifrat ndryshuan ndjeshëm: vetëm 2.3 milionë pako cigare u sekuestruan nga doganat, pasi kontrabandistët filluan të përdorin metoda të tjera si dronë, varka të vogla dhe 226 balona të raportuara.
Këtë vit, numri i balonave është rritur më tej: 546 balona u raportuan nga janari në tetor. Rojet kufitare besojnë se kjo metodë përbën tani 80 për qind të të gjithë cigareve të kontrabanduara përtej kufirit.
Syarhey Besarab, një kimist dhe popullarizues shkencor bjellorus, i tha Shërbimit bjellorus të Radios Evropa e Lirë (REL) se një balonë e aftë të mbajë një ngarkesë prej 40-50 kilogramësh kushton rreth 500 euro.
Kjo do të përkthehej në rreth 1.500 pako cigare me një vlerë në treg prej rreth 3.450 eurosh. Për më tepër, ka shumë pak mundësi që balonat të devijojnë nga rruga e fluturimit të tyre.
“Era që fryn në sipërfaqe dhe ajo në lartësi të madhe janë dy gjëra shumë të ndryshme. Lart, era është e qëndrueshme, prandaj balonat ngrihen në atë lartësi”, shpjegoi Besarab.
Këto janë balona të mëdha me helium që fluturojnë në numër të madh. Për shembull, natën midis 3 dhe 4 tetorit, Lituania raportoi mbërritjen e 25 balonave nga ana bjelloruse.
“Është e pamundur të lëshohen kaq shumë balona në masë të madhe në Bjellorusi pa u vënë re nga shërbimet speciale [të sigurisë], është fantazi”, shtoi Besarab.
Komentet e tij pasqyrojnë ato të presidentit lituan, Gitanas Nauseda, i cili muajin e kaluar tha se “është mjaft e qartë se strukturat speciale, KGB-ja bjelloruse, janë të përfshira në shitjen e cigareve nga kompani që prodhojnë produkte zyrtare, si edhe ato të destinuara për tregun e paligjshëm”.
Bjellorusia është identifikuar kamotshëm si burim i kontrabandës ndërkombëtare të cigareve.
Kush i pi cigaret bjelloruse?
Në vitin 2016, studiues nga Universiteti i Milanos në Itali publikuan një studim të titulluar “Qendra e Tregtisë së Paligjshme të Duhanit Bjellorus”. Studimi zbuloi se, përveç cigareve të falsifikuara, ekzistonte edhe një treg i lulëzuar për “të bardhat e paligjshme”, “cigare të prodhuara ligjërisht në një vend, por të destinuara për t’u kontrabanduar në vende ku nuk janë në shitje ligjërisht”.
Studimi dha një përshkrim të tregjeve kryesore ku shiteshin markat kontrabandë bjelloruse: Gjermani (30 për qind), Poloni (22.6 për qind), Britani (17.8 për qind) dhe Itali (9.7 për qind).
Gati 10 vjet më vonë, tregtia vazhdon. Burime që folën për Shërbimin bjellorus të REL-it thanë se marka bjelloruse cigaresh shiten jashtëligjshëm në Lituani, Gjermani dhe Francë.
Grupet në aplikacionin Telegram përdoren për blerje dhe shitje. Në një grup, një individ kërkonte të blinte cigare të markës bjelloruse NZ me shumicë në Helsinki, Finlandë. Grupe të tjera ishin përqendruar në Spanjë, Portugali, Gjermani dhe vende të tjera të BE-së.
Kalimi në përdorimin e balonave dhe pengesat që ka shkaktuar, e kanë bërë kontrabandën problem më të dukshëm politik. Çështja është bërë edhe më urgjente pas shkeljes së hapësirës ajrore lituane nga dy avionë ushtarakë rusë më 23 tetor, si dhe pas shfaqjes së dronëve të panjohur pranë aeroporteve.
Bjellorusia mohon çdo përfshirje në dërgimin e balonave dhe ka dënuar vendimin për mbylljen e kufirit.
Darius Antanaitis, oficer rezervist në ushtrinë lituane dhe komentator mediatik, i tha REL-it se kjo ishte mënyra më e mirë për ta detyruar liderin autoritar bjellorus, Aleksandr Lukashenko, të ndryshojë qëndrim.
“Shumë bjellorusë punojnë në Lituani dhe dërgojnë para në Bjellorusi, duke mbushur buxhetin e regjimit të Lukashenkos”, tha ai.
“Kur Lituania mbyll pikat kufitare, regjimi i Lukashenkos ndien presion social, politik dhe ekonomik”. REL (A2 Televizion)
