Australia dhe Japonia firmosin marrëveshje 7 miliardë dollarëshe për anije luftarake

Nga A2 CNN
19 Prill 2026, 22:47 | Bota

Australia dhe Japonia firmosin marrëveshje 7 miliardë dollarëshe

Australia dhe Japonia kanë nënshkruar kontrata për ndërtimin e tre prej 11 anijeve luftarake që do t’i dorëzohen marinës australiane, në kuadër të një marrëveshjeje historike mbrojtëse me vlerë rreth 7 miliardë dollarë.

Njoftimi u bë në Melburn nga ministri australian i Mbrojtjes, Richard Marles, dhe homologu i tij japonez, Shinjiro Koizumi, gjatë ceremonisë së nënshkrimit për anijet luftarake të klasit Mogami.

Marrëveshja, e njohur si “Memorandumi Mogami”, synon të thellojë bashkëpunimin ushtarak mes dy vendeve, përfshirë edhe rritjen e bashkëpunimit industrial në fushën e mbrojtjes.

Kompania japoneze Mitsubishi Heavy Industries do të ndërtojë tre fregatat në Nagasaki, ndërsa kompania australiane Austal do të realizojë ndërtimin e tetë të tjerave në Australinë Perëndimore.

Sipas planit, anija e parë e ndërtuar në Japoni pritet të dorëzohet në vitin 2029 dhe të hyjë në shërbim në vitin 2030.

“Flota jonë është më e rëndësishme se në çdo kohë në dekada. Këto fregata do të ndihmojnë në sigurimin e rrugëve tregtare detare dhe qasjeve veriore,” deklaroi Marles.

Nga ana tjetër, Koizumi theksoi se koordinimi në mbrojtje po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm, për shkak të një mjedisi sigurie në përkeqësim.

Marrëveshja vjen në një kohë kur Australia ka planifikuar një rritje rekord të shpenzimeve ushtarake, deri në 305 miliardë dollarë gjatë dekadës së ardhshme, me synimin për të forcuar fuqinë e saj detare.

Të dy vendet, aleatë të ngushtë të Shtetet e Bashkuara dhe pjesë e bllokut të sigurisë Quad, kanë intensifikuar bashkëpunimin ushtarak vitet e fundit, mes shqetësimeve për ndryshimet në balancat e sigurisë në rajonin Azi-Paqësor, veçanërisht për ndikimin në rritje të Kinës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos