Gazetari Egon Loli, duke komentuar tensionet mes SHBA-ve dhe Iranit, si dhe deklaratat për mundësinë e bombardimeve në rast se nuk arrihet një marrëveshje paqeje, u shpreh se situata mbetet e brishtë dhe me rrezik për përshkallëzim.
Gazetari Egon Loli, i ftuar në emisionin Terminal me Aurora Sulçe në A2 CNN, u shpreh se deklaratat e forta nga të dyja palët janë të pritshme në këtë fazë.
“Deklaratat e forta nga të dyja palët, si nga ana e Shteteve të Bashkuara ashtu edhe nga Irani, janë të kuptueshme, pasi pavarësisht armëpushimit, atmosfera e luftës është ende e vazhdueshme.
Ajo që duhet theksuar është se hyrja e palëve në një marrëveshje është një lëvizje e detyruar, pasi alternativa tjetër ka kosto shumë të larta financiare, në jetë njerëzore dhe pasoja politike, sidomos për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pra, bëhet fjalë për skenarë si bombardimi i infrastrukturës energjetike dhe civile të Iranit, apo edhe një operacion ushtarak në terren, që do të ishte shumë i vështirë.”
Loli theksoi se nuk mund të përjashtohet as një përshkallëzim i mëtejshëm, duke përmendur lëvizjet konkrete ushtarake në rajon.
“Po flasim për një zonë strategjike si ishulli Kar, ku ndodhen edhe portet kryesore të transportit të naftës së Iranit, një operacion i vështirë për t’u realizuar.
Megjithatë, kjo mbetet një alternativë, duke parë afrimin e një aeroplanmbajtëseje të tretë amerikane në Gjirin Persik dhe shtimin e forcave ushtarake, rreth 10 mijë trupa shtesë, përveç atyre që ndodhen prej muajsh në rajon,” u shpreh ai. (A2 Televizion)