Bota mirëpret vitin e ri, spektakël fishekzjarrësh nga Azia në SHBA

Nga A2 CNN
1 Janar 2026, 11:10 | Bota

Bota i ka dhënë lamtumirën vitit 2025 dhe ka përshëndetur ardhjen e vitit 2026 me festime madhështore, fishekzjarrë, rituale tradicionale dhe shpresa për paqe e begati, pavarësisht sfidave që shënuan vitin që lamë pas.

Viti i Ri mbërriti fillimisht në ishujt pranë Vijës Ndërkombëtare të Datës në Oqeanin Paqësor, si Kiritimati, Tonga dhe Zelanda e Re, ndërsa një nga qytetet e fundit që e priti ishte Nju Jorku, ku mijëra njerëz u mblodhën në Times Square, në temperatura nën zero, për të ndjekur zbritjen tradicionale të sferës së Vitit të Ri, mes fishekzjarrësh.

Në Australi, Sydney e nisi vitin 2026 me një spektakël të jashtëzakonshëm fishekzjarrësh mbi portin ikonik. Rreth 40 mijë efekte piroteknike ndriçuan një shtrirje prej 7 kilometrash, përfshirë edhe një “ujëvarë” drite nga Ura e Portit të Sydney-t. Festimet u zhvilluan nën masa të shtuara sigurie, pas një sulmi të përgjakshëm javë më parë, ndërsa organizatorët mbajtën edhe një minutë heshtje për viktimat.

Në Seul, mijëra qytetarë u mblodhën pranë pavijonit të kambanës Bosingak, ku ajo u godit 33 herë në mesnatë, një traditë me rrënjë në kozmologjinë budiste që simbolizon largimin e fatkeqësive dhe mirëpritjen e paqes dhe prosperitetit. Ndërkohë, pranë Murit të Madh të Kinës, në kalimin Juyong, u zhvilluan shfaqje me daulle dhe festime që paralajmëruan afrimin e Vitit të Kalit në kalendarin hënor.

Në Europë, qyteti kroat i Fuzine festoi Vitin e Ri që në mesditë, me muzikë, shampanjë dhe zhytje simbolike në ujërat e akullta të Liqenit Bajer. Ndërsa në Rio de Janeiro, miliona njerëz u mblodhën në plazhin Copacabana për festën tradicionale “Reveillon”, me synimin për të thyer rekordin botëror për festimin më të madh të Vitit të Ri.

Në Kiev dhe Moskë, festimet u shoqëruan me shpresa të forta për paqe, pas gati katër vitesh konflikti. Mes borës dhe dritave festive, shumë qytetarë shprehën dëshirën që viti 2026 të sjellë fundin e luftës dhe një të ardhme më të qetë për vendet e tyre. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos