CIA ka vlerësuar se Ukraina nuk ka shënjestruar një rezidencë të përdorur nga presidenti rus Vladimir Putin gjatë një sulmi të fundit me dronë në veri të Rusisë, duke hedhur poshtë pretendimin e Kremlinit. Sipas zyrtarëve amerikanë, drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, e ka informuar presidentin Donald Trump mbi këtë vlerësim.
Pretendimi për sulmin u bë publik nga Rusia të hënën dhe u përcoll nga vetë Putin gjatë një telefonate me Trump, i cili fillimisht u shpreh i shqetësuar për raportimet, përcjell A2 CNN. Megjithatë, më vonë Trump u tregua më skeptik, duke shpërndarë një editorial të “New York Post” që e cilësonte pretendimin si propagandë dhe pengesë për përpjekjet për paqe.
Ukraina ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje, ndërsa edhe zyrtarë europianë kanë shprehur dyshime. Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas, e quajti akuzën një “shpërqendrim të qëllimshëm”.
Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se 91 dronë ishin nisur nga veriu i Ukrainës dhe se shumica ishin rrëzuar para se të arrinin objektivin e supozuar, por pa ofruar prova konkrete. Ngjarja ndodh në një moment delikat, teksa SHBA dhe aleatët po intensifikojnë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. (A2 Televizion)