Begaj flet me ushtarët që shërbejnë jashtë: Krenar për ju

Nga A2 CNN
1 Janar 2026, 12:27 | Bota

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përshëndeti në një lidhje direkte online efektivët e Forcave të Armatosura Shqiptare të angazhuar në misione dhe operacione jashtë vendit.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Begaj uroi ushtarët, nënoficerët dhe oficerët shqiptarë të angazhuar në misione jashtë vendit për festat, duke shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e tij për shërbimin e tyre larg familjeve, në funksion të paqes, sigurisë dhe lirisë në botë.

“Është kënaqësi e veçantë për mua të jemi së bashku në këto momente për t’ju përshëndetur dhe për t’ju uruar nga zemra gëzuar festat! Uroj që viti që vjen të jetë i mbarë dhe i begatë jo vetëm për ju, por edhe për familjet tuaja! Atmosfera festive dhe e gëzuar kërkon të jemi së bashku. Juve ju ka gjetur larg familjeve tuaja, por me një mision të rëndësishëm: të jeni në krye të detyrës dhe në shërbim të atdheut, në shërbim të paqes, të sigurisë dhe lirisë në mbarë globin. Ju mbani lart flamurin e Shqipërisë dhe ne ndihemi krenarë për shërbimin tuaj!”, tha Begaj, përcjell A2.

Begaj flet me ushtarët që shërbejnë jashtë: Krenar

Kreu i Shtetit theksoi se angazhimi i Forcave të Armatosura në misione në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Bullgari, Letoni, Detin Egje, Irak, Sinai, Sudanin e Jugut, si dhe në strukturat mbështetëse për Ukrainën, është dëshmi e qartë e përkushtimit të Shqipërisë ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Begaj flet me ushtarët që shërbejnë jashtë: Krenar

“Angazhimi juaj, nga Kosova, Bosnjë dhe Hercegovinë, Bullgari, Letoni, Detin Egje, Irak, Sinai, Sudanin e Jugut dhe në strukturat për mbështetjen e Ukrainës, janë dëshmi e qartë e angazhimit dhe përkushtimit të Shqipërisë ndaj paqes dhe sigurisë jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Paqja dhe siguria nuk kanë çmim dhe garantimi tyre duhet të jetë i domosdoshëm. Sfidat gjeopolitike dhe të sigurisë janë komplekse dhe kërkojnë që ne t’u përgjigjemi atyre sipas kërkesave jo vetëm duke rritur kontributin, por, mbi të gjitha, me një Forcë të Armatosur të aftë, me kapacitete mbrojtëse, moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme. Ne do të vijojmë të shtojmë kontributet tona në misione dhe operacione jashtë vendit dhe patjetër do të jemi pjesëmarrës kudo ku Aleanca të kërkojë. Marrja e komandës së batalionit shumëkombësh të Rezervës Operacionale të KFOR-it për vitin 2026 është dëshmi e qartë e përkushtimit tonë ndaj mbrojtjes kolektive, ndaj paqes, ndaj dhe sigurisë. Shpreh bindjen se drejtimi i kësaj strukture të rëndësishme do të jetë një tjetër arritje e Forcave tona të Armatosura. Edhe një herë, ju uroj gëzuar festat, shëndet dhe mbarësi për ju dhe familjet tuaja! Faleminderit shumë për shërbimin tuaj! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe Forcat e Armatosura!”. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos