Zelensky i drejtohet ukrainasve: Një marrëveshje e dobët do zgjasë konfliktin

Nga A2 CNN
1 Janar 2026, 10:45 | Bota

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se vendi i tij dëshiron përfundimin e luftës, por jo me çdo kusht, duke theksuar se nuk do të nënshkruajë një marrëveshje paqeje “të dobët” që do ta zgjaste konfliktin. Në fjalimin e mbajtur pak para mesnatës, ai u shpreh se ukrainasit janë të lodhur, por jo të gatshëm për t’u dorëzuar.

Zelenskiy shtoi se Kievi po diskuton me Uashingtonin për garanci sigurie, përfshirë edhe një prani të mundshme të trupave amerikane në Ukrainë.

“Ukraina nuk ka nevojë për një kurth të hartuar me kujdes, të stilit Minsk. Nënshkrimet nën marrëveshje të dobëta vetëm e ushqejnë luftën. Firma ime do të jetë vetëm nën një marrëveshje të fortë. Dhe pikërisht për këtë shërben çdo takim, çdo telefonatë, çdo vendim tani. Për të siguruar një paqe të fortë për të gjithë. Jo për një ditë, jo për një javë, jo për dy muaj – por paqe për vite me radhë. Vetëm atëherë do të jetë vërtet sukses. Për Ukrainën, për Amerikën, për Europën – dhe, në të vërtetë, për çdo komb që dëshiron të jetojë, jo të luftojë. “Tërhiquni nga Donbasi dhe gjithçka do të marrë fund.” Kështu tingëllon mashtrimi kur përkthehet nga rusishtja – në gjuhen tone, në anglisht, në gjermanisht, në frëngjisht dhe, në fakt, në çdo gjuhë të botës. A i beson ende dikush?”, tha Zelensky. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos