Bota po armatoset! Këto janë shtetet që kanë rritur më shumë shpenzimet ushtarake gjatë vitit 2024

Nga A2 CNN
30 Prill 2025, 15:08 | Bota

Bota po armatoset! Këto janë shtetet që kanë rritur më

Në vitin 2024, shpenzimet ushtarake globale arritën nivelin më të lartë ndonjëherë të regjistruar, me një rritje prej 9,4% në krahasim me një vit më parë, duke kapur vlerën prej 2,718 trilionë dollarësh. Ky është ritmi më i shpejtë i rritjes që nga viti 1988, një vit para se të rrëzohej Muri i Berlinit, sipas raportit të fundit nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI).

Sipas raportit, kjo rritje pasqyron ndikimin e drejtpërdrejtë të konflikteve të mëdha si lufta në Ukrainë dhe në Gaza, por edhe tensionet e rritura në rajone të tjera si Evropa dhe Azia. “Shumë vende tashmë janë zotuar të rrisin më tej buxhetet e mbrojtjes, gjë që do të përshpejtojë më tej garën globale të armatimeve”, thuhet në raport.

Shtetet e Bashkuara mbeten fuqia me shpenzimet më të larta ushtarake në botë, me një buxhet që afrohet në 1 trilion dollarë. Investimet madhore përfshijnë avionët luftarakë F-35 dhe sistemet e tyre ($61.1 miliardë), anije të reja për marinën ($48.1 miliardë), modernizimin e arsenalit bërthamor ($37.7 miliardë) dhe mbrojtjen raketore ($29.8 miliardë). Ndihma për Ukrainën ishte $48.4 miliardë – gati 75% e buxhetit të mbrojtjes së vetë Ukrainës.

Bota po armatoset! Këto janë shtetet që kanë rritur më

Kina renditet e dyta me një buxhet ushtarak prej $314 miliardë, që përfaqëson afro një të tretën e shpenzimeve të SHBA-ve. SIPRI thekson se Kina ka vazhduar të zgjerojë shpejt arsenalin e saj bërthamor dhe ka prezantuar mjete të reja si avionë të padukshëm për radarë dhe mjete të komanduar në distancë.

Shtetet që janë përfshirë ose kërcënohen nga konflikte rajonale janë ato që kanë shënuar rritjet më të mëdha. Izraeli ka rritur shpenzimet me 65% pas ofensivës në Gaza. Rusia ka rritur buxhetin të paktën me 38%, megjithëse SIPRI dyshon se shifra reale është më e lartë. Vendet anëtare të NATO-s kanë reaguar me rritje të ndjeshme të buxheteve: Gjermania (28%), Rumania (43%), Suedia (34%) dhe Polonia (31%) janë vetëm disa prej tyre.

Në Azi, Kina ka shënuar vitin e 30-të radhazi me rritje të shpenzimeve, ndërsa Japonia ka pasur rritjen më të madhe që nga viti 1952 (21%). Filipinet (19%) dhe Tajvani (1.8%) kanë ndjekur të njëjtën tendencë, ndërkohë që Mianmari ka rritur shpenzimet me 66%, duke mbajtur barrën më të madhe ushtarake në rajon me 6.8% të PBB-së.

Bota po armatoset! Këto janë shtetet që kanë rritur më

Në Amerikën Latine, Meksika ka pasur një rritje të ndjeshme prej 39%, duke reflektuar përqafimin në rritje të një strategjie më të militarizuar kundër krimit të organizuar.

SIPRI paralajmëron se rritja e vazhdueshme e shpenzimeve ushtarake në mbarë botën, veçanërisht në rajone me tensione të larta, mund të çojë në një garë armatimesh gjithnjë e më të rrezikshme dhe të pakontrolluar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos