“Gati për çdo skenar, të armatosur deri në dhëmbë!” Mbërrin në Mesdhe flota më e madhe britanike

Nga A2 CNN
30 Prill 2025, 12:59 | Bota

“Gati për çdo skenar, të armatosur deri në

Luftanija britanike HMS Prince of Wales, është fotografuar për herë të parë duke udhëhequr një nga flotat më të fuqishme në historinë e kohëve të fundit, në një mision që mund ta çojë në përplasje me forcat ushtarake të Kinës, shkruan Daily Mail.

Anija 65 mijë tonëshe, më e madhja që Britania ka ndërtuar ndonjëherë, ka mbërritur në Mesdhe e shoqëruar nga tetë anije të tjera të flotës britanike dhe aleate. Në mesin e eskortës janë nëndetësja bërthamore HMS Astute, luftanija HMS Dauntless, fregata anti-nëndetëse HMS Richmond, si dhe dy anije furnizimi, RFA Tideforce dhe RFA Tidespring.

Formacioni u pasurua edhe me pjesëmarrjen e fregatës spanjolle Méndez Núñez, si dhe anijeve norvegjeze HNoMS Maud dhe HNoMS Roald Amundsen. Flota britanike do të zhvillojë stërvitje dhe operacione me aleatë në Mesdhe, Lindjen e Mesme, Azi dhe Australi deri në dhjetor, shkruan A2 CNN.

Misioni "Operation Highmast", i drejtuar nga Komodori James Blackmore, përfshin 4,500 efektivë britanikë dhe shënon dislokimin e dytë të Grupit të Goditjes së Aeroplanmbajtëses (CSG). Gjatë rrugës, pritet të kalojë përmes Detit të Kuq – ku Houthit e Jemenit kanë sulmuar anije – dhe ndoshta edhe në ngushticën e Tajvanit, një veprim që mund të provokojë Kinën.

Në bord ndodhen 18 avionë luftarakë F-35B, helikopterë anti-nëndetëse dhe dronë të teknologjisë së fundit. Komandanti i anijes, Kapiten Will Blackett, deklaroi: “Jemi gati për çdo skenar – kjo anije përfaqëson fuqinë detare britanike në maksimumin e saj.”

Operacioni synon të dërgojë një mesazh të qartë për vendosmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për të mbrojtur rendin ndërkombëtar dhe aleatët në Indo-Paqësor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos