Mbyllen pa surpriza zgjedhjet në Rusi. Partia në pushtet, Rusia e Bashkuar, ka ruajtur shumicën dërrmuese në parlamentin rus, sipas rezultateve pothuajse përfundimtare të zgjedhjeve.
Me mbi 95 për qind të votave të numëruara, partia e presidentit Vladimir Putin ka siguruar rreth 58 për qind të votave, duke marrë rreth 355 nga 450 vendet në Dumën ruse. Rezultati i garanton shumicën kushtetuese, duke i dhënë mundësi Kremlinit të miratojë ligje dhe të ndërmarrë ndryshime kushtetuese pa mbështetjen e partive të tjera.
Këto ishin zgjedhjet e para parlamentare në Rusi që prej nisjes së pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës në vitin 2022. Vetë Putin i kishte paraqitur ato si një test të mbështetjes për luftën, edhe pse shumë qytetarë shprehen të lodhur prej saj.
“Nëse do të mund të ndryshoja diçka, mendoj se çështja më e rëndësishme është e njohur për të gjithë: konflikti në Ukrainë. Do të doja që të përfundonte sa më shpejt, mundësisht përmes rrugëve paqësore.”
Në parlament pritet të hyjnë edhe komunistët, me rreth 14 për qind, Partia Liberal-Demokrate nacionaliste, me afro 9 për qind, dhe partia Njerëzit e Rinj, me rreth 8 për qind. Megjithatë, këto parti kanë mbështetur në vite shumicën e qëndrimeve kryesore të Rusisë së Bashkuar.
Një tjetër fitore u regjistrua në Çeçeni, ku Ramzan Kadyrov, aleati i ngushtë i Putinit, u rizgjodh për një mandat të pestë, me një rezultat zyrtar prej pothuajse 100 për qind. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deklaroi se pjesëmarrja ishte 59.3 për qind, ndërsa zgjedhjet vazhduan edhe pas një sulmi të rëndë me dronë ukrainas ndaj Moskës, në ditën e fundit të votimit.
Megjithatë, opozita në mërgim ka akuzuar autoritetet për manipulime të përhapura. Kreu i Komisionit Zgjedhor i hodhi poshtë akuzat dhe e cilësoi procesin “të pastër”.
Partia Yabloko, e vetmja parti e regjistruar që kundërshton luftën, nuk arriti të fitojë asnjë mandat në parlamentin federal. Por në rajonin e Novgorodit, Yabloko duket se ka kaluar pragun prej 5 për qind dhe mund të sigurojë përfaqësim në parlamentin rajonal.
Partia, e cila kërkon armëpushim në Ukrainë, tha se më shumë se 12 mijë banorë të Novgorodit e mbështetën atë, duke e cilësuar rezultatin si një shenjë se mesazhet për paqe dhe liri vazhdojnë të gjejnë mbështetje në shoqërinë ruse. (A2 Televizion)