“Do të ketë dhe pandemi të tjera”, imunologu me Nobel: Vaksina për hantavirusin gati për 9 muaj

Nga Rosalba Bejdo
8 Maj 2026, 15:57 | Bota

“Nuk jemi në prag të një pandemie”. Këto janë disa fjalë për të qetësuar ata që janë të shqetësuar për shpërthimin e Hantavirusit që ndodhi ditët e fundit në një anije turistike që udhëtonte në Atlantik. Ato janë shprehur nga Drew Weissman, imunologu që fitoi Çmimin Nobel në Mjekësi për vitin 2023 për kontributin e tij themelor në zhvillimin e vaksinave efektive MRNA kundër pandemisë Covid-19, i intervistuar nga gazeta italiane La Stampa.

“Është e vërtetë që transmetimi ndodh nga një person në tjetrin”, shpjegon Weissman, “por ndryshimi krahasuar me Covid është se hantavirusi nuk përhapet aq shpejt; në fakt, transmetimi është shumë i dobët”. Sipas imunologut, situata është menaxhuar mirë deri më tani. Ne duhet të vazhdojmë të “mbajmë vigjilencën dhe monitorimin tonë” ndërsa presim që të mbërrijnë vaksinat. “Ato janë tashmë në laboratorë”, vazhdoi Weissman për La Stampa, “por do të duhen nëntë ose dhjetë muaj që ato të jenë të finalizuara për përdorim”.

Weissman beson se me siguri do të ketë pandemi të reja në të ardhmen: “Kemi pasur tre pandemi të koronavirusit dhe dhjetëra pandemi të gripit në 150 vitet e fundit. Këto janë fenomene natyrore për mjedisin tonë. Problemi është se nuk jemi të përgatitur”, nënvizon ai. Sipas fituesit të Çmimit Nobel, “për t'i parandaluar ato, ne duhet të investojmë në kërkime dhe të vëmë në dispozicion fonde.

Të kesh një vaksinë të gatshme bën ndryshimin midis parandalimit dhe shërimit”, thekson ai. Organizata Botërore e shëndetësisë ka qetësuar opinionin publik duke konfirmuar se gjithçka është nën kontroll dhe se nuk do të kemi në pandemi të re. Megjithatë rastet janë shtuar dhe autoritetet shëndetësore në disa vende janë në garë me kohën për të gjurmuar dhe për të frenuar një shpërthim të hantavirusit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos