
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se i ka kërkuar Sekretarit amerikan të Shtetit Marco Rubio t’i përcjellë një mesazh Papa Leone XIV gjatë vizitës në Vatikan, duke theksuar se “Irani nuk mund të ketë armë bërthamore”.
“I thashë Rubios: ‘Thuaji Papës me shumë mirësjellje dhe respekt se Irani nuk mund të zotërojë armë bërthamore’”, tha Trump sipas raportimeve nga mediat amerikane, shkruan A2 CNN.
Trump pretendoi gjithashtu se i kishte kërkuar Rubios t’i tregonte Papës se “Irani vrau 42 mijë protestues të pafajshëm që nuk ishin të armatosur”.
Deklaratat e presidentit amerikan vijnë pas takimit të Rubios me Papa Leon në Selinë e Shenjtë, në një moment tensionesh mes administratës amerikane dhe Vatikanit lidhur me luftën ndaj Iranit.
Më herët Trump ka kritikuar Papën, duke deklaruar se ai po vë në rrezik shumë katolikë dhe shumë njerëz.
"Mendoj se Papa po vë në rrezik shumë katolikë dhe shumë njerëz, por mendoj se nëse do të varej prej tij, ai do të ishte plotësisht dakord që Irani të ketë një armë bërthamore", tha Trump për Salem News Channel, përcjell A2 CNN.
Nga ana tjetër, takimi Rubio-Papa Leon u përshkrua nga Departamenti amerikan i Shtetit si një shenjë e marrëdhënieve të forta mes SHBA-së dhe Vatikanit.
Papa Leone XIV, Papa i parë amerikan në histori, ka shprehur më herët kritika ndaj luftës me Iranin, si edhe ndaj politikave të ashpra anti-emigracion të administratës Trump. (A2 Televizion)