Europa me mburojë kundër Rusisë. Çfarë është “Muri i dronëve” dhe pse BE po diskuton një të tillë?

Nga Rosalba Bejdo
16 Tetor 2025, 23:46 | Bota

Vetëm disa orë pasi rreth 20 dronë rusë hynë në hapësirën ajrore të Polonisë muajin e kaluar, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se kishte ardhur koha për ngritjen e një “muri dronësh” për mbrojtjen e kufirit lindor të kontinentit.

Pamjet nga Polonia treguan rrënoja dronësh dhe ndërtesa të dëmtuara, duke dëshmuar rrezikun real që përbëjnë këto mjete, shkruan A2. 

Robert Tollast, studiues në Royal United Services Institute, shprehet: “Më 10shtator, 19 dronë rusë depërtuan në hapësirën ajrore europiane. Kjo shkaktoi shqetësim të madh dhe është vetëm një nga incidentet e shumta gjatë viteve të fundit, që na kanë bërë të mendojmë më seriozisht se si ta mbrojmë hapësirën tonë ajrore nga kërcënime gjithnjë e më të sofistikuara, sidomos kur bëhet fjalë për dronët”. 

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, konfirmoi se mbrojtja ajrore e Aleancës u aktivizua me sukses, duke garantuar mbrojtjen e territorit të NATO-s. Përballë kërcënimit në rritje, BE-ja po diskuton ngritjen e një strukture të gjerë monitorimi dhe mbrojtjeje, të quajtur “Eastern Flank Watch”, ku “muri i dronëve” është pjesë qendrore. 

Andrius Kubilius, Komisioner i BE-së për Mbrojtjen, tha: “Murit të dronëve ne i shohim si pjesë të një projekti më të madh, që tashmë quhet Eastern Flank Watch. Ne po përballemi me sfida të qarta. Rusia po e teston BE-në dhe NATO-n dhe përgjigjja jonë duhet të jetë e fortë, e bashkuar dhe e menjëhershme”. 

Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se plani kërkon bashkim të resurseve të vendeve anëtare dhe një arkitekturë të integruar mbrojtjeje. 

“Europa po mobilizohet, duke bashkuar burimet dhe duke planifikuar ndërtimin e murit të dronëve, të frymëzuar kryesisht nga përvoja e Ukrainës, e cila është nën sulme të pandërprera pothuajse çdo natë”, deklaroi Tollast. 

Në qendër të këtij vizioni janë vendet baltike dhe Polonia, por gjithnjë e më shumë edhe Gjermania, për shkak të rrezikut që vjen nga dronët rusë. 

“Është fjala për të integruar të gjitha kapacitetet mbrojtëse – radarë, avionë luftarakë, dronë interceptorë, raketa, deri tek lufta elektronike, për të funksionuar në harmoni 24 orë në ditë. Kjo është një sfidë e madhe”, theksoi Tollast. 

Projekti mbetet në faza fillestare dhe, sipas ekspertëve, do të zgjasë vite për t’u materializuar: “Muri i dronëve nuk do të jetë një projekt që ndërtohet brenda natës. Do të zgjasë disa vite, sepse shumë nga teknologjitë më të lira dhe efektive ende nuk ekzistojnë në shkallë të gjerë”. 

Një sfidë thelbësore është kostoja. Një dron rus kushton rreth 50 mijë dollarë, ndërsa një raketë interceptuese mund të kushtojë qindra mijëra apo edhe miliona dollarë: “Nuk mund të hedhim qindra raketa që kushtojnë miliona dollarë mbi dronë që kushtojnë vetëm 50 mijë. Sfida është të zhvillojmë mjete më të lira si dronë interceptorë apo lazerë. Teknologjia ekziston, por nuk është shkallëzuar ende”. 

NATO po mbështet projektin edhe me koordinim industrial, për të ulur kostot e prodhimit dhe për të përshpejtuar furnizimet: “NATO ka ngritur disa mekanizma për të koordinuar blerjet ushtarake, duke i dhënë industrisë sinjal që të rrisë prodhimin dhe të bëjë procesin më efikas”. 

Në terren, kompanitë europiane tashmë po testojnë dronë të rinj, sisteme antidron dhe mjete elektronike për neutralizimin e tyre. Por, sipas ekspertëve, çelësi i suksesit qëndron tek bashkëpunimi i ngushtë me Ukrainën, e cila ka shndërruar fushën e betejës në laboratorin më të madh të mbrojtjes kundër dronëve: “Për të kuptuar realisht si funksionon muri i dronëve, gjëja kryesore është të vazhdojmë të punojmë me Ukrainën. Vetëm aty mund të testohen teknologjitë e reja në kushte të vërteta lufte”. 

Në fund, “Muri i dronëve” nuk do të jetë një projekt i vetëm që shpallet dhe përfundon, por një proces i vazhdueshëm që do të përcaktojë sigurinë e Europës në vitet e ardhshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos