Presidenti ukrainas Volodimir Zelensky takohet të premten me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë për të kërkuar më shumë mbështetje ushtarake në një kohë kur Moska dhe Kievi po përshkallëzojnë luftën.
Që prej takimit Trump-Putin në Alaskë në muajin gusht, ushtria e Kievit ka shënjestruar me dronë rafineritë e naftës ruse, ndërsa sulmet e Moskës kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë rreth Ukrainës. Sipas ekspertëve, të dyja palët po përpiqen të rrisin presionin për të përmirësuar pozitat në prag të ndonjë dritareje të re negociatash, shkruan A2.
E megjithatë, një ish-zyrtar i lartë ukrainas thotë për Reuters se si Rusia, ashtu edhe Ukraina nuk kanë resurset për të vijuar edhe për shumë gjatë me intensitetin aktual luftën.
“Mendoj se 2 muaj të tjerë janë të mjaftueshëm për këtë raund të ri përshkallëzimi”, tha burimi që foli në kushte anonimiteti. Ndër të tjera, Zelensky pritet t’i kërkojë Trumpit raketa me rreze të gjatë Tomahawk që do të vendosnin Moskën dhe qytete të tjera të mëdha në rrezen e zjarrit raketor nga Ukraina.
Trump ka thënë se mund të furnizojë Kievin me armatime të tilla nëse Putin dështon të ulet në tryezën e negociatave. Ukrainasit po shpresojnë që armëpushimi në Gaza do të rigjallërojë përpjekjet e Trump drejt paqes në Ukrainë. Mykhailo Podolyak, këshilltar i Zelenskyt, tha se një delegacion zyrtarësh të lartë ukrainas gjendej në Uashington në prag të vizitës së Zelenskyt për t’i prezantuar autoriteteve amerikane një strategji për rritjen e kostove të luftës për Rusinë.
“Mjetet dihen tashmë. Raketa Cruz, prodhim i përbashkët i dronëve dhe fuqizim i mbrojtjes ajrore”, shkroi ai në rrjetin social X.
“Ne duam paqe, prandaj duhet të projektojnë forcën më thellë në zemër të Rusisë”. (A2 Televizion)