“Katastrofa” në Gjermani, Merz “gjunjëzohet” nga e djathta dhe e majta: Nuk largohem

Nga Erjon Dervishi
21 Shtator 2026, 16:16 | Bota

Një katastrofë e ka cilësuar kancelari gjerman Friedrich Merz  humbjen e partisë së tij, CDU, në zgjedhjet lokale. megjithatë përkundër spekulimeve se mund të largohej nga detyra, ai e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend ta ndërmarrë një hap të tillë.

Në landin verilindor të Mecklenburg-Vorpommern-it, CDU nuk arriti të kalojë pragun prej 5 për qind për të hyrë në parlamentin rajonal, duke regjistruar një nga rezultatet më të dobëta në historinë e saj. Në këtë land, pritet të konfirmojë fitoren Alternativa për Gjermaninë, AfD, por partia e së djathtës ekstreme vështirë se do të mund të qeverisë, pasi partitë e tjera kanë përjashtuar bashkëpunimin me të, shkruan A2 CNN. Edhe në Berlin, CDU-ja pritet të mbetet pas partisë Die Linke, e Majta.

Rezultatet kanë shtuar presionin ndaj Merz, i cili prej muajsh përballet me rënie të mbështetjes dhe me spekulime se mund të zëvendësohet përpara përfundimit të mandatit. Pas rezultateve, bashkëkryetarja e AfD-së, Alice Weidel, tha se Merz do të largohet nga posti “shumë shpejt”. Megjithatë, kancelari  këmbënguli se do të qëndrojë në detyrë dhe se qeveria e tij do të vijojë me reformat ekonomike, fiskale dhe sociale.

“Gjermania është e aftë të reformohet. Madje do të shkoja edhe më tej, duke thënë se këto reforma janë antidoti ndaj helmit autoritar, i cili, së bashku me joshjen nga autoritarizmi, po depërton gjithnjë e më thellë në shoqërinë tonë. Ajo që duhet bërë tani kërkon kurajë, vendosmëri dhe durim. Unë do t’i tregoj këto cilësi si kryetar i CDU-së dhe, mbi të gjitha, si kancelar i vendit tonë. Faleminderit”, tha ai.

Ndërkohë, AfD pretendon se është tashmë “forca më e madhe” politike dhe se ka arritur në qendër të shoqërisë gjermane. Rezultatet përfundimtare priten të konfirmojnë nëse këto zgjedhje do të thellojnë krizën politike brenda CDU-së dhe presionin ndaj kancelarit Merz. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos