Lufta në Lindjen e Mesme jashtë kontrollit? Huthët drejt kapjes së Bab El Mandab, Trump: Do shfarosim Iranin

Nga Erjon Dervishi
21 Shtator 2026, 16:12 | Bota

Konflikti në lindjen e mesme vijon të zgjerojë hartën në mënyrë të rrezikshme. Rebelët Huthi po përpiqen të marrin zona malore me rëndësi strategjike në Jemen, me synimin për të shkëputur bregdetin e Detit të Kuq nga zonat jugore të kontrolluara nga forcat e mbështetura nga Arabia Saudite. Përparimi i shpejtë i grupit, i mbështetur nga Irani, ka hapur një front të ri në konflikt dhe ka shtuar rrezikun për furnizimet globale me energji.

Sipas burimeve ushtarake jemenase, Huthit po luftojnë për kontrollin e maleve Kahboub, në provincat Taiz dhe Lahij, shkruan A2 CNN. Marrja e këtyre lartësive do t’u jepte atyre një pozicion strategjik pranë ngushticës së Bab al-Mandabit, një nga korridoret kryesore detare drejt Detit të Kuq.

Ndërkohë, Arabia Saudite ka kryer qindra sulme ajrore ndaj pozicioneve të Huthive po nuk ka arritur të ndalë avancimin e tyre. Sipas Kombeve të Bashkuara, përshkallëzimi i fundit i luftimeve ka shkaktuar afro 700 viktima dhe mijëra të plagosur. Mbi 120 mijë persona janë zhvendosur brenda Jemenit, ndërsa mijëra të tjerë kanë kaluar me varka drejt Afrikës. New York Times raportoi se administrata Trump kishte përgatitur sulme ajrore kundër milicive Huthi, pas kërkesave të princit të kurorës saudite Mohammed bin Salman.

Por, sipas gazetës, presidenti Donald Trump i anuloi sulmet në momentin e fundit. Kontrolli i rebelëve Huthi mbi Bab al-Mandab rrezikon të kufizojë një nga rrugët kryesore alternative për eksportin e naftës saudite, duke shtuar varësinë nga ngushtica e Hormuzit. Ndërkohë të dielën Uashingtoni dhe Teherani shkëmbyen kërcënime.

Presidenti Trump tha se Irani do të përballej me kolaps ekonomik ose me shfarosje nëse nuk arrinte një marrëveshje. Republika Islamike nga ana e vet u kundërpërgjigj duke paralajmëruar të hakmerret me sulme të reja. Megjithatë presidenti Masud Pezeshkian do të vizitojë Nju Jorkun këtë javë, ku do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB dhe Trump është shprehur I gatshëm ta takojë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos