Gazetari Lavdrim Lita deklaroi se “qeveria nuk po e dëgjon protestën” dhe sipas tij “duhet të kishte ndryshuar qeveria dhe kryeministri”.
“Kryeministri vetëm protestën nuk ka dëgjuar fare. Vetëm shkruan e flet qeveria dhe pastaj kërkon besën. Besa i jepet një personi në rrezik. Nga cili rrezikohet Edi Rama? I kërkon besën policëve që ta ruajnë? I kërkon besën drejtësisë që mos ta hetojë? PS kërkon të rikthejë partinë-shtet. Në vitet ’80 njerëzit nuk kishin të hanin dhe Sigurimi i fuste në burg që të mos flisnin. Edhe sot, patronazhistët monitorojnë ata që kritikojnë qeverinë”, tha Lita në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Sot, kryeministri kishte thënë që inspektorëve që vendosin gjoba, do i vendosim kamera. Që bizneset e vogla të tmerrohen dyfish. Qeveria nuk po e dëgjon protestën. Duhet të kishte ndryshuar qeveria, kryeministri dhe qasja. Po bën sikur po e dëgjon”, shtoi gazetari Lavdrim Lita. (A2 Televizion)