Greqia ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç

Nga A2 CNN
23 Tetor 2026, 19:42 | Bota

Greqia ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç
Greqia ka miratuar një ligj që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën moshën 15 vjeç, duke iu bashkuar vendeve që po ndërmarrin masa për të kufizuar aksesin e të miturve në platformat digjitale. Ligji i ri do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027.

Projektligji u miratua të premten nga Parlamenti grek me votat e shumicës parlamentare të partisë në pushtet, Demokracia e Re, e drejtuar nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis. Nisma nuk mori mbështetjen e partive të tjera politike, pas një debati të tensionuar që nisi të enjten.

Sipas ligjit, platformat e rrjeteve sociale do të detyrohen të verifikojnë moshën e përdoruesve dhe do të përballen me sanksione në rast se nuk respektojnë detyrimet e përcaktuara.

Kryeministri Mitsotakis kishte paralajmëruar që në prill planet për kufizimin e aksesit të të miturve në rrjetet sociale. Në një video të publikuar në TikTok, ai e cilësoi masën si “të vështirë, por të nevojshme”, duke argumentuar se synimi është mbrojtja e fëmijëve nga ndikimet negative të mjedisit digjital.

Ndërkohë, partia socialiste opozitare PASOK abstenoi në votim, pasi kishte propozuar një alternativë më të kufizuar. Sipas propozimit të saj, ndalimi do të zbatohej për fëmijët nën 13 vjeç, ndërsa për moshat 13 dhe 14 vjeç do të vendoseshin kontrolle prindërore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos