
Gjyqësori i Iranit ka mohuar raportimet se tetë gra përballen me ekzekutim, pas një deklarate të bërë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i cili kishte kërkuar falje në emër të tyre.
Sipas agjencisë zyrtare të gjyqësorit iranian, Mizan Online, “Trump është keqinformuar sërish nga lajme të rreme”. Në deklaratë thuhet se gratë që janë përmendur si të rrezikuara për ekzekutim, në disa raste janë liruar tashmë, ndërsa të tjerat përballen me akuza që, nëse konfirmohen në gjykatë, mund të çojnë në dënime me burg, por jo me dënim kapital.
Më herët, Trump kishte deklaruar në rrjetet sociale se lirimi i këtyre grave mund të ndikonte pozitivisht në negociatat me Iranin, duke ripostuar gjithashtu një pretendim të një aktivisti se tetë gra rrezikonin dënimin me varje. Megjithatë, ky pretendim nuk shoqërohej me emra konkretë, por vetëm me fotografi të tyre. (A2 Televizion)