
Në deklaratën e saj zyrtare, ushtria izraelite bëri të ditur se disa raketa janë lëshuar drejt trupave të saj të dislokuara në zonën kufitare. Sipas saj, forcat izraelite janë përgjigjur menjëherë duke goditur pozicionin nga ku dyshohet se është kryer sulmi, me qëllim neutralizimin e kërcënimit dhe parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm.
Ky incident ndodh në një moment të ndjeshëm, ndërsa mes Libanit dhe Izraelit po ruhet një armëpushim i brishtë dhe palët janë të përfshira në përpjekje diplomatike për uljen e tensioneve. Sipas raportimeve, pritet që të vazhdojë një raund i dytë bisedimesh mes palëve gjatë ditës së enjte, në kuadër të përpjekjeve për stabilizimin e situatës në kufi.
Deri në këtë moment, Hezbollah nuk ka publikuar asnjë reagim zyrtar përmes kanaleve të tij, përfshirë Telegramin, duke lënë ende të paqartë versionin e tij mbi ngjarjen. (A2 Televizion)