Katastrofa në kufirin Nepal-Tibet, qindra të vdekur e të zhdukur pas rrëshqitjes dramatike të dheut

Nga Rosalba Bejdo
26 Gusht 2026, 18:32 | Bota

Një katastrofë natyrore ka goditur kufirin mes Nepalit dhe Tibetit kinez, pasi një masiv i madh balte dhe shkëmbinjsh u shemb në një lumë, duke shkaktuar përmbytje shkatërruese në anën nepaleze.

Të paktën 95 persona kanë humbur jetën, ndërsa qindra turistë dhe banorë rezultojnë të zhdukur. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin dramatik kur njerëzit përpiqen të largohen, përpara se një valë e fuqishme balte, uji dhe shkëmbinjsh të përfshinte ndërtesa, automjete dhe rrugë.

Në Nepal janë shkatërruar banesa, ura, rrugë dhe projekte energjetike. Ministria e Turizmit njofton se më shumë se 340 turistë të huaj janë ende të zhdukur, mes tyre mbi 100 shtetas indianë, tre amerikanë dhe 12 britanikë. Edhe tetë shtetas koreano-jugorë, që punonin në një hidrocentral, rezultojnë të zhdukur.

Autoritetet po hetojnë shkakun e katastrofës. Një tërmet me magnitudë 4.4 është regjistruar rreth shtatë minuta para momentit të kapur në pamjet e kamerave dhe, sipas një vlerësimi fillestar, ai mund të ketë shkaktuar rrëshqitjen e një orteku masiv dhe shkëmbinjsh mbi lumin Lhende, shkruan A2CNN. 

Situata mbetet kritike, pasi ekspertët paralajmërojnë mundësinë e një vale të dytë përmbytjeje. Ekipet e shpëtimit po hasin vështirësi të mëdha, ndërsa helikopterët nuk kanë mundur të ulen në disa prej zonave më të prekura.

Edhe në anën kineze, në portin kufitar Gyirong, rrugët, komunikimi dhe furnizimi me energji janë ndërprerë. Kina ka angazhuar qindra efektivë dhe mjete të specializuara për operacionet e kërkim-shpëtimit.

Presidenti kinez Xi Jinping ka kërkuar përpjekje maksimale për gjetjen e të zhdukurve dhe forcimin e sistemeve të paralajmërimit, ndërsa autoritetet indiane kanë nisur evakuimet në zonat që mund të preken nga rritja e nivelit të lumenjve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos