Kërcënimet e reja të Trump për tarifat digjitale, Macron kërkon hakmarrje nga BE

Nga A2 CNN
28 Gusht 2025, 13:12 | Bota

Kërcënimet e reja të Trump për tarifat digjitale, Macron

Bashkimi Evropian duhet të marrë në konsideratë hakmarrjen kundër sektorit të shërbimeve dixhitale të Shteteve të Bashkuara, pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump kërcënoi me tarifa të reja në përgjigje të rregulloreve dhe taksave mbi sektorin e teknologjisë.

Kështu u tha sot Emmanuel Macron ministrave të tij gjatë mbledhjes javore të kabinetit. Kreu i Elysse theksoi nevojën që Evropa të shqyrtojë mundësitë e saj në sektorin dixhital pas sulmit të Trump të hënën.

Sipas një zyrtari të lartë të qeverisë franceze, të cituar nga Politico, Presidenti Macron tha se BE nuk duhet të përjashtojë mundësinë e marrjes në konsideratë të hakmarrjes kundër "lojtarëve" amerikanë të teknologjisë.

Deklarata erdhi pasi Trump kërcënoi të vendoste tarifa të reja për vendet, rregulloret e tregut dixhital të të cilave shihen si të padrejta ndaj kompanive amerikane. Kërcënimi erdhi vetëm disa javë pasi Uashingtoni dhe Brukseli nënshkruan një marrëveshje tregtare që do të vendoste një taksë minimale prej 15% mbi eksportet e BE-së në SHBA.

Kërcënimi i Trump për masa të reja erdhi si surprizë për zyrtarët evropianë, ndërsa Macron, i cili tradicionalisht ka udhëhequr vijën evropiane për pozicione më të ashpra tregtare kundër Presidentit amerikan, nuk e fshehu zhgënjimin e tij me marrëveshjen tregtare, duke argumentuar se Evropa nuk kishte "arritur ta trembte mjaftueshëm" për të siguruar kushte më të mira.

Bashkimi Evropian, pavarësisht kundërshtimeve të Francës, duket se po shmang një konflikt tregtar në shkallë të plotë me SHBA-në, me shumicën e shteteve anëtare që ngurrojnë të shkaktojnë kundërmasa të mëdha.

Informacioni nga shoqëruesit e Macron konfirmon se ideja e hakmarrjes është me të vërtetë qëndrimi i presidentit francez, i cili pritet ta diskutojë më tej çështjen me kancelarin gjerman Friedrich Merz më vonë këtë javë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos