Një kolonel i inteligjencës ushtarake izraelite u tha gjatë një raportimi për situatën në terren, anëtarëve të Knessetit se ka ende rreth 7,500 luftëtarë të armatosur në zonën e qytetit të Gazës.
Sipas tij 5,000 prej këtyre militantëve i përkasin Hamasit dhe pjesa e mbetur Xhihadit Islamik.
Ky numër përfshin një numër aktivistësh të nivelit më të ulët, siç janë të rinjtë që vëzhgojnë dhe raportojnë mbi trupat në terren.
Sipas raportit, Hamasi tani është i angazhuar në rekrutimin e luftëtarëve, riparimin e tuneleve dhe kërkimin dhe përgatitjen e eksplozivëve. "Hamasi po përgatitet për një periudhë luftimesh në Qytetin e Gazës dhe në Rripin verior", tha ai.
Ndërkohë mediat bëjnë me dije se zyrtarët e Katarit janë në Londër, ku është planifikuar një takim midis të dërguarit të SHBA-së Steve Witkoff dhe Ministrit të Jashtëm Izraelit Ron Demer.
Një burim tha se administrata amerikane beson se ka një shans për të rifilluar negociatat midis Izraelit dhe Hamasit mbi armëpushimin dhe marrëveshjen për lirimin e pengjeve në dy javët e ardhshme.
SHBA-të po ndërmjetësojnë midis Izraelit dhe Katarit për të zgjidhur krizën që shpërtheu pas sulmit të IDF-së ndaj zyrtarëve të lartë të Hamasit në Doha. (A2 Televizion)