Janar 2026. Një zhvillim që ndryshon balancat në Amerikën Latine. Pas një operacioni të papritur amerikan që çon në kapjen e presidentit venezuelian Nicolas Maduro, administrata e Donald Trump sinjalizon se nuk do të ndalet me kaq. Në shënjestër vendoset një tjetër regjim historik i rajonit: Kuba. Një vend i izoluar prej dekadash…por që tani përballet me një presion të ri, shumë më të drejtpërdrejtë.
Më 4 janar, Trump artikulon publikisht atë që deri atëherë ishte vetëm strategji: "Mendoj se regjimi atje thjesht do të bjerë. Nuk mendoj se kemi nevojë për ndonjë veprim. Duket sikur po shkon drejt rënies. A i ke parë ndonjëherë si luftojnë?"
Një mesazh i qartë: Uashingtoni nuk ka nevojë të ndërhyjë – sepse Kuba, sipas tij, është në rënie të lirë. Por vetëm pak ditë më vonë, bëhet e qartë se kjo “rënie” nuk është spontane. Është e shtyrë. Më 7 janar, Shtetet e Bashkuara godasin pikën më të ndjeshme të sistemit kuban: furnizimin me energji.
Dy anije me naftë, të lidhura me Venezuelën, sekuestrohen. Në portin e Matanzas, ku ankorohen zakonisht tankerët, nis të duket kriza: Depo të mëdha karburanti… por pa furnizim të ri. Në rrugë, situata përkeqësohet me shpejtësi. Kamionë në radhë për karburant… stacione të mbyllura… qytetarë në pritje.
William Gonzalez, banor kuban shprehet: “Tani mendoj që me këtë situatë, gjërat do të përkeqësohen, sepse tani nuk do të lejojnë që të vijë nafta. Më parë nafta vinte nga Venezuela dhe Rusia, ndërsa tani do të vijë vetëm nga Rusia”.
Energjia është zemra e ekonomisë kubane. Dhe kur ajo ndalet… gjithçka tjetër ndalet me të. Më 11 janar, presioni shtohet. Trump njofton ndërprerjen e plotë të çdo mbështetjeje nga Venezuela. Në Havana, qytetarët përballen me mungesa bazike. Radhët për bukë bëhen pjesë e përditshmërisë.
Maria Elena Sabina, banore thotë: “Ku ishte nafta nëse Kuba nuk e ka? Këtu nuk ka energji elektrike, nuk ka rrymë, nuk ka gaz, nuk ka gaz të lëngshëm. Këtu nuk ka asgjë.”
Kriza tashmë është e dukshme. Por në shkurt, ajo bëhet alarm ndërkombëtar. Kombet e Bashkuara paralajmërojnë për një situatë që mund të dalë jashtë kontrollit.
Stéphane Dujarric, zëdhënës i OKB tha: “Sekretari i përgjithshëm është jashtëzakonisht i shqetësuar për situatën humanitare në Kube, e cila do të përkeqësohet, madje mund të shkoje ne kolaps, nëse nevojat e saj për naftë nuk plotësohen.”
Në Havana, përgjigjja është e kujdesshme. Presidenti Miguel Diaz-Canel lë derën e hapur për dialog. Por me një vijë të kuqe të qartë:
Diaz-Canel shprehet: “Kuba është e gatshme të angazhohet në dialog me Shtetet e Bashkuara, dialog për çdo çështje që duhet të diskutohet apo debatohet. Në çfarë kushtesh? Pa presion.”
Ndërkohë, presioni amerikan shtrihet përtej Kubës. Çdo vend që furnizon ishullin me naftë vihet nën kërcënim. Meksika detyrohet të ndalë dërgesat e naftës, ndërsa përpiqet të shmangë tarifat amerikane.
Claudia Sheinbaum, Presidente e Meksikës thotë: “Populli i Meksikës gjithmonë tregon solidaritet. Askush nuk mund të injorojë situatën që po përjeton aktualisht populli i Kubës, për shkak të sanksioneve që po vendosen ndaj çdo vendi që dërgon naftë, nga SHBA në një mënyrë shumë të padrejtë.”
Megjithatë, solidariteti nuk mungon. Anije me ndihma ushqimore nisen drejt Kubës: qumësht, oriz, mish, produkte bazë. Por pa energji, ndihma është e pamjaftueshme. Në aeroportin “José Martí”, një tjetër sinjal alarmi: mungesa e karburantit për avionët. Fluturimet reduktohen. Terminalet boshatisen.
Në qytet, pasojat janë edhe më të dukshme. Mbeturinat fillojnë të grumbullohen në rrugë – sepse kamionët nuk kanë karburant. Një krizë energjetike… që shndërrohet në krizë shëndetësore. Në të njëjtën kohë, kubanët kërkojnë mënyra për të mbijetuar. Panelet diellore instalohen në biznese dhe shtëpi. Por këto janë vetëm zgjidhje të përkohshme. Në mes të kësaj situate, Trump e përkufizon Kubën në mënyrë të drejtpërdrejtë:
“Kuba tani është një shtet i dështuar. Ata nuk kanë as karburant për avionë që të mund të ngrihen në ajër; po bllokojnë pistat e tyre. Ne po flasim me Kubën tani, dhe edhe Marco Rubio po flet me Kubën dhe ata duhet patjetër të arrijnë një marrëveshje. Sepse kjo është vërtet një kërcënim humanitar.”
Një etiketim që shënon një tjetër nivel përshkallëzimi. Nga presioni ekonomik… në delegjitimim politik. Por marsi do të sjellë momentet më kritike. Kriza energjetike arrin kulmin. Rrugët e Havanës errësohen. Transporti paralizohet. Më 4 mars, një blackout i madh përfshin pothuajse gjithë vendin.
Megjithatë, njerëzit përpiqen të vazhdojnë jetën–duke u mbështetur te gjeneratorët apo energjia diellore. Por situata përkeqësohet edhe më tej. Më 16 mars, rrjeti kombëtar energjetik kolapson plotësisht. Rreth 10 milionë njerëz mbeten pa energji.
Në këtë klimë tensioni, ndodh edhe një incident i armatosur në ujërat kubane, duke rritur frikën për një përplasje më të madhe.
Forcat kubane vranë katër persona dhe plagosën gjashtë të tjerë në bordin e një skafi të shpejtë me bazë në Florida, i cili hyri në ujërat e Kubes më 25 shkurt dhe hapi zjarr ndaj një patrulle kubane,.Në rrugët e Havanës, shqetësimi është i dukshëm. Por në Uashington, retorika nuk zbutet. Përkundrazi.
“Dhe mund të jetë një marrje kontrolli miqësore. Mund të mos jetë miqësore. Nuk do të kishte rëndësi, sepse ata në fakt janë, siç thuhet, në pikën e fundit. Nuk kanë energji. Nuk kanë para. Janë në vështirësi të thella nga pikëpamja humanitare”, tha Trump.
Dhe më pas, një deklaratë që trondit: “E dini, gjithë jetën time kam dëgjuar për SHBA dhe Kuben. Kur do ta bëjë Shtetet e Bashkuara këtë? Unë besoj se do të kem nderin, do të kem nderin të ‘marr’ Kuben. Ky do të ishte… është një nder i madh…”
Ideja e një “marrjeje” të Kubës – qoftë edhe në formë simbolike – rikthen kujtimet e Luftës së Ftohtë. Por ndërsa tensionet arrijnë kulmin, një tjetër proces zhvillohet paralelisht. Diplomacia. Autoritetet kubane konfirmojnë bisedime me Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, ndihma ndërkombëtare vazhdon të mbërrijë. Nga Evropa dërgohen ilaçe dhe pajisje mjekësore.
Por pika e kthesës vjen në fund të marsit. Në një lëvizje të papritur, Trump ndryshon tonin dhe I hap rrugën rifillimit të furnizimeve.
“Nëse një vend dëshiron të dërgojë pak naftë në Cuba tani, nuk kam asnjë problem me këtë”, u shpreh Trump.
Vetëm dy ditë më pas, një cisterne ruse hyn në portin e Matanzas. Nafta rikthehet në Kubë – për herë të parë pas muajsh. Një frymëmarrje për një vend në prag kolapsi. Në prill, situata fillon të stabilizohet. Dritat rikthehen gradualisht. Trafiku rritet. Bizneset rifillojnë aktivitetin.
Një banor tha: “Që kur mbërriti anija, e dërguar nga Presidenti Vladimir Putin, për të cilin jemi shumë mirënjohës sepse është një ndihmë e madhe, gjërat janë përmirësuar shumë.”
Por kjo mbetet një zgjidhje e përkohshme. Sepse në thelb, kriza nuk ishte vetëm për energjinë. Ishte për kontrollin. Për ndikimin. Për balancat në Amerikën Latine. (A2 Televizion)