Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë rritur ndjeshëm, pas paralajmërimeve të forta nga udhëheqja iraniane dhe një pranie të shtuar ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme. Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, deklaroi se çdo sulm amerikan ndaj Iranit do të çonte në një konflikt rajonal.
Nëse amerikanët e nisin një luftë, këtë herë ajo do të jetë një luftë rajonale. Ne nuk jemi nismëtarë të sulmeve, por do t’i japim një goditje të fortë kujtdo që na sulmon.
Deklaratat vijnë në një kohë kur Shtetet e Bashkuara kanë rritur ndjeshëm praninë detare në rajon. Marina amerikane aktualisht ka gjashtë shkatërrues, një aeroplanmbajtëse dhe disa anije luftarake të vendosura pranë Iranit, shkruan A2 CNN.
Të dielën, një shkatërrues amerikan u pa duke u larguar nga porti izraelit drejt Detit të Kuq. Autoritetet izraelite thanë se dislokimi ishte i planifikuar më herët dhe pjesë e bashkëpunimit ushtarak SHBA–Izrael.
Ndërkohë, shefi i Shtabit të Ushtrisë iraniane, Amir Hatami, deklaroi se forcat e armatosura iraniane janë në gatishmëri të plotë. Ai tha se pas përplasjeve të fundit me Izraelin, Irani ka përmirësuar ndjeshëm kapacitetet raketore. Presidenti Trump deklaroi se Irani është seriozisht duke biseduar me Uashingtonin, ndërsa Teherani ka thënë se është i hapur për negociata të drejta, pa cenuar aftësitë e tij mbrojtëse. (A2 Televizion)