
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka pranuar për herë të parë publikisht se mijëra persona janë vrarë gjatë protestave të fundit në vend, duke deklaruar se disa prej tyre janë vrarë “në mënyrë çnjerëzore dhe barbare”. Protestat nisën më 28 dhjetor për shkak të situatës ekonomike dhe më pas u shndërruan në protesta kundër regjimit.
Sipas Agjencisë së Lajmeve për Aktivistët e të Drejtave të Njeriut në Iran, me qendër në SHBA, dhuna ndaj protestuesve ka shkaktuar 3.090 viktima. Megjithatë, errësira informative e shkaktuar nga ndërprerja pothuajse totale e internetit e bën të vështirë verifikimin e plotë të shifrave, shkruan A2 CNN.
Në një fjalim të mbajtur të shtunën, Khamenei fajësoi për vdekjet atë që ai i quajti “nxitës të rebelimit”, ndërsa qeveria iraniane i ka cilësuar protestat si “trazira të mbështetura nga armiqtë e vendit”.
Pamje të verifikuara nga BBC Persian dhe BBC Verify tregojnë forcat e sigurisë duke qëlluar ndaj protestuesve. Sipas NetBlocks, lidhja me internetin në Iran ka rënë në rreth 2% të niveleve normale.
Ndërkohë, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë thirrje që protestat të vazhdojnë dhe ka paralajmëruar ndërhyrje ushtarake nëse dhuna ndaj civilëve vazhdon. Khamenei e ka cilësuar Trump si “kriminel”, ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit ka paralajmëruar Iranin për pasoja të rënda në rast sulmi ndaj bazave amerikane. (A2 Televizion)