Mike e Trump, Ramës dhe… kombit, Giorgia Meloni, kryeministrja më jetëgjatë e Italisë

Nga Xhevahir Qardaku
7 Shtator 2026, 18:01 | Bota

Mike e Trump, Ramës dhe… kombit, Giorgia Meloni, kryeministrja

Më shumë se 1400 ditë. Kaq kohë ka që Giorgia Meloni drejton Italinë. Një shifër që në çdo demokraci do të ishte e rëndësishme, por në Itali merr një kuptim krejt tjetër. Sepse ky është vendi që ka pasur 68 qeveri në 80 vite. Një mesatare prej rreth një qeverie në vit.

Sot, kryeministrja e së djathtës italiane ka vendosur një rekord historik: qeveria e saj është bërë më jetëgjata në historinë e Republikës Italiane. Dhe kjo është historia e një kryeministreje që erdhi në pushtet mes frikës dhe skepticizmit, por që arriti të shndërrojë pikërisht atë që Italia nuk e kishte pasur prej vitesh: stabilitetin, në markën e saj politike.

 “Italia ka pasur 68 qeveri në 80 vitet e fundit, afërsisht një në vit. Kësaj here, Meloni ka arritur të mbijetojë tre, katër vite dhe ka çdo mundësi që të shkojë deri në fund të mandatit të saj, i cili është pesë vjet. Pra, për Italinë, ky është një moment historik i rrallë, një moment i rrallë i stabilitetit politik. Vendi ishte sinonim i paqëndrueshmërisë, i qeverive që ndërroheshin vazhdimisht. E megjithatë, papritur kemi pasur këtë periudhë qetësie, ndërsa, në mënyrë ironike, në vende të tjera, si Britania dhe Franca, kemi pasur shumë më tepër paqëndrueshmëri, vende që më parë perceptoheshin si shumë solide.”, tha Crispian Balmer nga Reuters.

Italia ka ndryshuar. Dhe paradoksi është se këtë ndryshim nuk po e sjell një figurë që dikur shihej si simbol i radikalizmit të së djathtës. Kur Giorgia Meloni fitoi zgjedhjet, në shumë kryeqytete europiane ekzistonte frika se Roma do të përplasej me Brukselin. Disa e shihnin si një tjetër Viktor Orban. Por Meloni zgjodhi një rrugë tjetër. Ajo u afrua me institucionet europiane, ndërtoi marrëdhënie me Berlinin dhe Londrën dhe u përpoq ta poziciononte Italinë si një shtyllë të Perëndimit.

 “Shumë politikanë, shumë qeveri në Evropë janë befasuar këndshëm nga qeveria e Melonit. Ata ishin përgatitur për një marrëdhënie shumë më luftarake, shumë më të vështirë, ndërsa në fakt mendoj se Meloni është përpjekur të punojë brenda kufijve të vendosur në Bruksel për t’i çuar gjërat përpara. Pra, ajo ka një marrëdhënie shumë të mirë me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Ka një marrëdhënie të mirë me gjermanët. Gjithashtu, ajo ka pasur tradicionalisht një marrëdhënie të mirë me qeveritë e njëpasnjëshme britanike.”, tha Crispian Balmer nga Reuters.

Nga “rrezik për Europën”, në partnere të Europës. Ky është një nga transformimet më të mëdha të Giorgia Melonit. Ajo nuk hoqi dorë nga identiteti i saj politik, por kuptoi se për të realizuar objektivat e saj i duhej Europa. Sidomos për një nga premtimet kryesore të fushatës së saj: emigracionin.

Dhe këtu historia e Melonit lidhet drejtpërdrejt edhe me Shqipërinë. Shëngjini u bë një nga simbolet e politikës së saj për emigracionin dhe i marrëdhënies së re që ajo kërkoi të ndërtonte me partnerët europianë.

 “Ajo shihej si një figurë e së djathtës ekstreme, shumë radikale. Disa njerëz thoshin se do të ishte një Orban i vogël. Në fakt, ajo është dëshmuar të jetë pro-perëndimore, pro-atlantiste dhe ka punuar shumë mirë me Evropën. Mendoj se kur erdhi në pushtet, ajo kuptoi se kjo ishte e vetmja rrugë për të realizuar pjesët kyçe të programit të saj, si për shembull të ishte në gjendje të mbante jashtë, ose më saktë të ulte numrin e emigrantëve që vijnë me varka.”, .”, tha Crispian Balmer nga Reuters.

Por stabiliteti politik nuk lind vetëm nga marrëdhëniet me Brukselin. Lind edhe nga ekonomia. Meloni e kishte shumë të qartë se çfarë mund të ndodhte nëse tregjet humbnin besimin te qeveria e saj.

Shembulli i Liz Truss në Britani ishte ende i freskët. Një kryeministre që qëndroi rreth 50 ditë, pasi humbi besimin e tregjeve. Meloni zgjodhi të mos e përsëriste atë skenar. Dhe sipas analizës së Reuters, besueshmëria financiare, aleanca perëndimore dhe stabiliteti u bënë tre nga shtyllat e mbijetesës së saj politike.

 “Kur mori detyrën, gjithashtu, duhet të kujtoni Liz Truss, kryeministren britanike, e cila ishte në ditët e fundit të saj në pushtet. Dhe Liz Truss mbijetoi vetëm rreth 50 ditë, sepse humbi besimin e tregjeve. Pra, Meloni e kishte shumë të qartë këtë në mendje: nëse do të bëje diçka që tregjet nuk e besonin, shumë shpejt mund të humbisje pushtetin. Kështu, përsëri, Meloni kuptoi se stabiliteti vinte përmes besueshmërisë financiare, lindte nga të qenit shumë e lidhur me një aleancë perëndimore dhe nga të qenit pjesë e grupit të vendeve me të njëjtin mendim, që të gjitha punonin në të njëjtin drejtim.” tha Crispian Balmer nga Reuters.

Por këtu fillon edhe pyetja më e vështirë. Çfarë ka bërë Giorgia Meloni me gjithë këtë pushtet? Sepse jetëgjatësia politike nuk është domosdoshmërisht e njëjtë me suksesin në reforma. Kritikët e saj thonë se shumë prej premtimeve të mëdha të vitit 2022 nuk janë realizuar.

Reforma në drejtësi u rrëzua në referendum. Plani për t'u dhënë më shumë kompetenca rajoneve u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Ndërsa projekti për një kryeministër me pushtet më të madh ka ngecur në Parlament.

Pra, bilanci i Melonit ka dy fytyra: stabilitet politik, por reforma të papërfunduara.

 “Tani, kritikët do të thoshin se, pavarësisht faktit që ajo ka qenë në pushtet për kaq gjatë, në fakt ka bërë shumë pak me atë pushtet. Dhe duhet thënë se shumë prej reformave të saj kryesore, reformat që ajo premtoi se do t’i zbatonte kur mori detyrën në vitin 2022, nuk janë realizuar. Reforma e saj në drejtësi u rrëzua në një referendum. Plani i saj për t’u dhënë më shumë pushtet rajoneve u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Plani i saj për të krijuar një post kryeministror me fuqi jashtëzakonisht të mëdha ka ngecur në Parlament. Pra, shumë prej masave të saj kryesore kanë përfunduar të dështuara.”, tha Crispian Balmer nga Reuters.

Dhe pastaj është Donald Trump. Meloni dhe Trump kanë një afërsi të dukshme politike. Të dy i përkasin një kampi nacionalist dhe konservator. Kur Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë, në Bruksel u krijua ideja se Meloni mund të ishte ura mes Europës dhe presidentit amerikan. Madje, se ajo mund ta bindte Trumpin, ta ndikonte dhe ta afronte më shumë me Europën.

Por politika nuk funksionon gjithmonë sipas planeve. Dhe shumë shpejt, kjo marrëdhënie u përball edhe me tensione.

 “Kur Donald Trump mori detyrën, ai u pa si një aleat i dukshëm politik, shumë më tepër se presidenti Biden para tij. Ata ishin pjesë e të njëjtit kamp nacionalist dhe konservator. Dhe shumë njerëz në Bruksel e shihnin atë si personin që mund t’i pëshpëriste Trumpit në vesh, si ndërmjetësen e Trumpit. Në fillim, gjithçka shkoi mirë. Por mendoj se, siç e kanë kuptuar edhe shumë njerëz të tjerë, kur afrohesh shumë me Trumpin, pikërisht atëherë mund të fillojnë problemet e tua. Ajo pati një përplasje të ashpër me të gjatë verës dhe besimi në Bruksel se ajo mund të fliste me Trumpin, ta bindte Trumpin, ta qetësonte Trumpin, është dëshmuar se ishte shumë larg realitetit.”, tha tha Crispian Balmer nga Reuters.

Megjithatë, Meloni nuk e ka humbur këtë marrëdhënie. Në samitin e G7 në Francë, një moment i shkurtër mes saj dhe Trumpit tregoi se politika mund të ketë edhe një dozë humori.

Antonio Costa iu afrua dy liderëve dhe tha:Jeni sërish miq.”

 “Gjithmonë kemi qenë miq.”

Dhe tani Giorgia Meloni ka përpara sfidën e vërtetë. Zgjedhjet e vitit 2027. Atje nuk do të mjaftojë të thotë se ka qëndruar gjatë në pushtet. Do të duhet të bindë italianët se ky pushtet ka prodhuar rezultate. Më shumë se 1400 ditë në Palazzo Chigi janë tashmë histori. Një rekord që askush nuk mund t'ia heqë. Por rekordi i jetëgjatësisë nuk do të jetë ajo që do të vendosë trashëgiminë e saj.

“Tani është një nga kartat e saj kryesore politike që ajo është gruaja që i ka sjellë stabilitet Italisë pas vitesh me qeveri që ndërroheshin vazhdimisht. Pra, mendoj se ky rekord ka një peshë të madhe simbolike. Por mendoj gjithashtu se ekziston kjo ndjesi që ajo po përçon, se ky stabilitet ka ardhur falë menaxhimit të saj të mençur të financave. Ka ardhur falë aftësisë së saj për të bërë që politikanë nga parti të ndryshme të punojnë së bashku. Dhe kështu, kur ajo të shkojë në zgjedhje vitin e ardhshëm, ajo do t’u thotë italianëve: dëgjoni, nëse doni më shumë nga kjo, unë jam i vetmi person i aftë për t’jua ofruar.” tha Crispian Balmer nga Reuters.

Pyetja do të jetë nëse Giorgia Meloni ka ndryshuar realisht Italinë. Ajo do t'u thotë italianëve: Nëse doni stabilitet, unë jam ajo që mund t'jua jap. Por kundërshtarët e saj do t'i përgjigjen: Stabiliteti është vetëm fillimi. Çfarë bëre me pushtetin që të dhamë?
Dhe pikërisht kjo do të jetë beteja e Giorgia Melonit në vitin 2027. Jo më për të mbijetuar. Por për të provuar se rekordi i saj ishte edhe një sukses.

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos