
Ulrich Siegmund, kandidati kryesor në zgjedhjet në Saksoni-Anhalt për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), në Berlin më 7 shtator 2026, një ditë pas zgjedhjeve rajonale në shtetin federal lindor.
Kancelari Friedrich Merz e ka përjashtuar bashkëpunimin me Alternativën për Gjermaninë (AfD), pasi partia e ekstremit të djathtë i fitoi zgjedhjet rajonale në Saksoni-Anhalt, megjithëse e pranoi se rezultati e ka tronditur “thellësisht” partinë e tij.
AfD-ja po u bën thirrje ligjvënësve nga konservatorët e Merzit që ta mbështesin atë për të qeverisur në këtë land në lindje të Gjermanisë. Kjo do të ishte hera e parë që një parti e ekstremit të djathtë e merr pushtetin në nivel rajonal në Gjermaninë e pasluftës.
AfD-ja, parti kundër emigracionit dhe pro Rusisë, i fitoi pothuajse 44 për qind të votave. Rezultati shpërfaqi mungesën e madhe të popullaritetit të koalicionit qeverisës të Merzit dhe shkaktoi gjithashtu alarm në vendet fqinje të Gjermanisë, Francë dhe Poloni, si dhe gjetkë.
Megjithatë, partia - e cila dëshiron t’i dëbojë emigrantët, të ndalë mbështetjen për Ukrainën dhe të rivendosë marrëdhëniet me Moskën - nuk arriti ta fitojë një shumicë absolute në parlamentin rajonal. Ajo fitoi 39 nga 83 ulëset dhe shpreson t’i bindë ligjvënës individualë konservatorë që t’i bashkohen.
Rezultati i zgjedhjeve mund ta vërë në provë refuzimin e kahershëm të partive kryesore gjermane, përfshirë Kristian-Demokratët (CDU) e Merzit, për të bashkëpunuar me AfD-në. Kjo politikë njihet si “vijë e kuqe politike”.
AfD-ja thotë se kjo është jodemokratike.
“Ky rezultat e trondit partinë tonë deri në themelet e saj”, tha Merz, sipas gazetës Bild. “Jemi të gjithë thellësisht të tronditur”, shtoi ai më vonë në një konferencë për media, duke e përshkruar rezultatin si më të keqin zgjedhor të partisë së tij në dekada.
Ndonëse u shfaq i tronditur dhe premtoi se do të përpiqej më shumë për t’u afruar me votuesit, Merz hodhi poshtë sugjerimet se mund të japë dorëheqjen, duke thënë se në përgjithësi do t’i qëndrojë agjendës së reformave të qeverisë së tij.
Merz, vlerësimi i të cilit nga publiku ka rënë në nivele rekord të ulëta, përballet me zgjedhje të tjera rajonale në javët e ardhshme dhe gjatë vitit të ardhshëm. Megjithatë, ai shpreson se kombinimi i reformave dhe rritjes së shpenzimeve në disa fusha do ta rigjallërojë rritjen ekonomike në ekonominë më të madhe të Evropës.
Duke lënë të kuptohet se fitorja e AfD-së është pritur me entuziazëm në Moskë, Merz e karakterizoi momentin aktual politik si një luftë për mbijetesën e vlerave perëndimore. Ai gjithashtu mbrojti vendimin e vitit të kaluar për të marrë hua qindra miliarda euro për shpenzime në mbrojtje, duke thënë se uniteti i aleancës së NATO-s ishte në rrezik.
“Dorëzimi nuk është opsion për mua”, tha ai.
Bashkëkryetari kombëtar i AfD-së, Tino Chrupalla, u bëri thirrje ligjvënësve të CDU-së që të bëjnë të mundur një “shumicë konservatore të qendrës së djathtë” në Saksoni-Anhalt.
“Lojërat partiake duhet të jenë vërtet një gjë e së kaluarës”, tha ai për radion gjermane, duke iu referuar vijave të kuqe politike.
Partia BSW, partner i mundshëm i AfD-së
E vetmja parti gjermane që ka sinjalizuar gatishmëri për të bashkëpunuar me AfD-në është BSW-ja populiste e krahut të majtë. BSW-ja ndan me AfD-në kundërshtimin ndaj emigracionit masiv, për të cilin thotë se dëmton të drejtat e punëtorëve vendas, dhe gjithashtu kërkon përfundimin e mbështetjes së Gjermanisë për Ukrainën dhe rivendosjen e marrëdhënieve me Moskën.
Të dyja partitë i konsiderojnë sanksionet ndaj Rusisë si vetësabotim të panevojshëm, duke u mohuar bizneseve gjermane qasjen në burimet e mëdha dhe të lira të energjisë në Rusi, mbi të cilat ekonomia gjermane e orientuar nga eksportet ishte në gjendje të lulëzonte për dekada.
“Paqe në Evropë” ishte faktori i dytë më i rëndësishëm që ndikoi në mënyrën se si votuan njerëzit në Saksoni-Anhalt, sipas të dhënave të transmetuesit ARD. Por, Merz u tha gazetarëve se suksesi i AfD-së nuk ishte arsye për të ndryshuar kursin.
“Unë nuk do të devijoj as edhe një milimetër nga bindja ime themelore se duhet ta mbrojmë lirinë tonë, veçanërisht tani, kundër Rusisë”, tha ai.
“Nëse ndalojmë së mbështeturi Ukrainën, situata nuk do të përmirësohet deri nesër, por vetëm do të përkeqësohet. Udhëheqja ruse synon të destabilizojë sistemin e vlerave që qëndron në themel të asaj që dikur e quanim ‘Perëndimi’, një sistem vlerash për të cilin nuk mund të bëhen kompromise”, tha ai.
Gjatë fushatës, AfD-ja shfrytëzoi zhgënjimin në rritje me partitë e konsoliduara, të cilat i përshkruan si të lodhura dhe të shkëputura nga realiteti, duke ofruar në vend të tyre një sërë politikash të ashpra, premtimin për rrugë më të pastra dhe më të sigurta dhe një ringjallje të krenarisë kombëtare. Për disa votues, ekziston gjithashtu një nostalgji për jetën në ish-Gjermaninë Lindore të drejtuar nga komunistët.
“Sinjal shumë, shumë shqetësues”
Sipas një ndarjeje të votuesve, AfD-ja ishte veçanërisht e popullarizuar te burrat, me 50 për qind që votuan për këtë parti, krahasuar me 39 për qind të grave. Votuesit e AfD-së gjithashtu priren të jenë më pak të sigurt ekonomikisht dhe me nivel më të ulët arsimor.
Saksoni-Anhalt është një land relativisht i vogël dhe një nga më të varfrit në ish-Gjermaninë komuniste lindore, por Alice Ëeidel, bashkëkryetarja tjetër kombëtare e AfD-së, e përshëndeti rezultatin e së dielës si një moment historik dhe tha se partia e saj synon të fitojë të paktën 40 për qind në zgjedhjet e ardhshme kombëtare, të planifikuara për vitin 2029.
AfD-ja është shpallur parti e ekstremit të djathtë nga zyra lokale e shërbimit gjerman të inteligjencës së brendshme, por ajo i hedh poshtë akuzat për ekstremizëm dhe thotë se ato janë përpjekje për të shkaktuar frikë dhe fyerje ndaj miliona mbështetësve të saj.
Ndërsa liderët e së djathtës ekstreme në Evropë e mirëpritën rezultatin si një mandat për ndryshim dhe miliarderi amerikan Elon Musk e mbështeti publikisht AfD-në, ministri francez i Financave, Roland Lescure, i tha radios RTL se rezultati “dërgon një sinjal shumë, shumë shqetësues”.
“Ky rezultat tregon se përballemi me një sfidë të madhe përballë një vale populiste që po përhapet në mbarë botën sot dhe të cilës duhet t’i rezistojmë”, tha Lescure, vendi i të cilit, Franca, do të mbajë zgjedhje kombëtare vitin e ardhshëm, të cilat mund t’i mundësojnë veteranes së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, të bëhet presidente e Francës./REL (A2 Televizion)
