Tragjedi në Rusi: Orteku merr 11 jetë, gjashtë të plagosur dhe disa të zhdukur

Nga A2 CNN
7 Shtator 2026, 16:48 | Bota

Tragjedi në Rusi: Orteku merr 11 jetë, gjashtë të plagosur

Të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe gjashtë të tjerë janë plagosur pasi një ortek goditi një grup alpinistësh në Republikën e Kabardino-Barkisë, në Rusi.

Ngjarja ka ndodhur të shtunën në Grykën e Bezengut, ku orteku përfshiu një grup prej 33 alpinistësh, njoftoi të hënën Ministria rajonale e Situatave të Emergjencave.

Sipas autoriteteve, 10 alpinistë kanë mundur të largohen nga zona me forcat e tyre, ndërsa fati i gjashtë personave të tjerë ende nuk dihet, shkruan A2CNN. 

Në vendngjarje janë angazhuar 56 ekipe të kërkim-shpëtimit, të cilat po vijojnë operacionet për gjetjen e personave të zhdukur.

Autoritetet kanë bërë të ditur se operacioni po përballet me vështirësi të mëdha për shkak të terrenit të thyer malor dhe rrezikut të orteqeve të tjera.

Në ndihmë të ekipeve pritet të angazhohen edhe një helikopter Mi-8 dhe një helikopter komercial, por operacionet ajrore do të nisin vetëm nëse kushtet atmosferike përmirësohen.

Autoritetet ruse vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa familjarët presin informacione për fatin e personave ende të pagjetur.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos