Gati shtatë muaj pasi u shpreh më vendim për pagat e gjyqtarëve dhe të prokurorëve, Kushtetuesja u detyrua të flasë edhe njëherë për çështjen, për shkak të situatës së krijuar më bllokimin e pagesës së magjistratëve. Këtë herë, jo përmes një vendimi, por mes një reagimi për median.
Pa përmendur Kuvendin e Republikës por vetëm ata që i quan si autoritete përgjegjës, Kushtetuesja kujton se vendimi i saj i datës 17 shkurt 2026, ka përcaktuar standardin kushtetues të zbatueshëm dhe se ka evidentuar edhe detyrimet që burojnë prej tij për autoritetet përgjegjëse.
Kushtetuesja, theksonte më tej se arsyetimi i vendimit përbënte qëndrimin zyrtar të gjykatës për çështjen, se vendimet e saj janë përfundimtare të zbatueshme dhe kërkesë e drejtpërdrejtë e rendit kushtetues. Por teksa diskutimi publik për pagat e magjistratëve ka përfshirë ministra dhe kreun e qeverisë, Edi Rama, vetë Kushtetuesja dhe administrata e saj është paguar, sipas listëpagesave të vjetra, pas shtesë në pagë.
Në këtë kuadër, në reagimin për media, Kushtetuesja theksonte se përllogaritja dhe ekzekutimi i pagave në administrimin e brendshëm të saj, në varësi të buxhetit në dispozicion, nuk mund të interpretohet si përcaktuese për efektet juridike të vendimit të shkurtit 2026 dhe as për detyrimet që vendimi sjell për autoritetet përgjegjëse për zbatimin e tij.
Në vendimin e saj të 17 shkurtit, Kushtetuesja i dha kohë deri më 31 korrik Kuvendit të Shqipërisë të bënte ndryshimet ligjore përkatëse për një formulë për llogaritjen e rritjes së pagave të magjistratëve. Kuvendi nuk e zbatoi detyrimin. Për rrjedhojë në ditët e fundit të gushtit, qeveritë e gjyqësorit dhe prokurorëve, KLGJ e KLP, miratuan rritjen e pagave, sipas tyre, në zbatim të vendimit kushtetues.
Urdhër-pagesat me pagat e reja, nuk u ekzekutuan nga Dega e Thesarit në Ministrinë e Financave, duke i lënë magjistratët pa paga dhe vënë si kusht për to, listëpagesat e vjetra, pa shtesë të llogaritur. Situata ka ngjallur reagime të shoqatave të gjyqtarëve e prokurorëve, ku të parë të kanë paralajmëruar edhe një kallëzim pealenë SPAK. (A2 Televizion)
