Trump publikon dosjet e UFO-ve, mijëra video, foto dhe dokumente të aksesueshme për publikun

Nga A2 CNN
8 Maj 2026, 16:57 | Bota

Trump publikon dosjet e UFO-ve, mijëra video, foto dhe dokumente të

Pas urdhrit të dhënë nga Presidenti Donald Trump në shkurt, Pentagoni ka publikuar këtë të premte atë që i cilëson si “dosje të papara më parë” mbi UFO-t dhe fenomenet ajrore të paidentifikuara, raporton A2 CNN. Dokumentet janë bërë publike përmes platformave zyrtare të Departamentit të Mbrojtjes, duke ndezur sërish debatet dhe interesin mbi mundësinë e ekzistencës së jetës jashtëtokësore.

Në një deklaratë në rrjetin social X, Pentagoni bëri të ditur se qytetarët amerikanë tashmë mund të kenë akses të menjëhershëm në materialet e deklasifikuara që lidhen me UAP-të, termi modern për UFO-t. Sipas autoriteteve, videot, fotografitë dhe dokumentet origjinale nga institucione të ndryshme federale janë mbledhur në një vend të vetëm dhe mund të konsultohen pa pasur nevojë për leje të posaçme sigurie.

Departamenti i Mbrojtjes paralajmëroi gjithashtu se publikimi i materialeve do të vazhdojë në mënyrë periodike, ndërsa dokumente të tjera do të deklasifikohen dhe publikohen çdo disa javë.

Interesi për fenomenet e paidentifikuara u rrit ndjeshëm në muajin shkurt, kur ish-presidenti amerikan Barack Obama deklaroi gjatë një podcasti se “alienët ekzistojnë, por unë nuk i kam parë”. Më pas, Obama sqaroi deklaratën e tij duke theksuar se gjatë presidencës nuk kishte parë prova që konfirmonin kontakte të qenieve jashtëtokësore me Tokën.

Pas kësaj vale diskutimesh, Trump urdhëroi Pentagonin dhe agjencitë e tjera përkatëse të nisnin procesin e identifikimit dhe publikimit të dokumenteve që lidhen me jetën jashtëtokësore, UFO-t dhe fenomenet ajrore të paidentifikuara.

Edhe administratori i NASA-s, Jared Isaacman, përshëndeti iniciativën për transparencë, duke deklaruar se kërkimi dhe eksplorimi mbeten në qendër të misionit të NASA-s për të zbuluar sekretet e universit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos