Pamje tronditëse nga Gaza: Hamas ekzekuton shtatë persona të dyshuar si bashkëpunëtorë

Nga A2 CNN
14 Tetor 2025, 14:35 | Bota

Pamje tronditëse nga Gaza: Hamas ekzekuton shtatë persona të

Një video e publikuar të hënën mbrëma ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare, pasi tregon luftëtarë të Hamasit duke tërhequr shtatë burra në një rreth njerëzish në Qytetin e Gazës, duke i detyruar të gjunjëzohen dhe duke i qëlluar pas shpine.

Një burim nga Hamasi ka konfirmuar autenticitetin e videos, ndërsa agjencia Reuters ka verifikuar vendndodhjen përmes pamjeve satelitore dhe strukturave të njohura të qytetit. Luftëtarët e armatosur në video mbanin shiritat e gjelbër të Hamasit, duke vërtetuar përkatësinë e tyre me grupin, shkruan A2 CNN.

Sipas burimit të Hamasit, ekzekutimet janë kryer nga fraksione të grupit, përfshirë vetë Hamasin, dhe viktimat akuzoheshin për bashkëpunim me Izraelin. Megjithatë, identiteti i të vrarëve nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur, dhe as data e saktë e filmimit. Burimet e Hamasit kanë pohuar se ngjarja ka ndodhur të hënën.

Banorë të Gazës raportuan se luftëtarët e armatosur janë bërë gjithnjë e më të dukshëm gjatë ditës së martë, duke u pozicionuar përgjatë rrugëve ku kalojnë ndihmat humanitare. Burime të sigurisë palestineze njoftuan se dhjetëra persona janë vrarë në përleshje të brendshme midis fraksioneve rivale në ditët e fundit.

Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka përsëritur se lufta nuk mund të përfundojë pa dorëzimin e armëve dhe largimin e Hamasit nga pushteti në Gaza, kërkesa që grupi refuzon ta pranojë.

Megjithëse Hamasi është dobësuar ndjeshëm pas dy vitesh bombardimesh dhe operacione tokësore izraelite, ai duket se po rikthehet gradualisht në kontroll, me luftëtarët që kanë dalë sërish në rrugë pas vendosjes së armëpushimit gjatë fundjavës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos