Pentagoni zbarkon në Ukrainë! Kievi do të japë Donbasin dhe do të përgjysmojë ushtrinë?

Nga Rosalba Bejdo
20 Nëntor 2025, 11:18 | Bota

Shtetet e Bashkuara intensifikojnë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Mes raportimeve për një plan të fshehtë prej 28 pikësh mes Uashingtonit dhe Moskës, zyrtarë të lartë të Pentagonit qëndrojnë këtë të enjte në Kiev, për bisedime me presidentin Volodimir Zelenski.

Sipas ushtrisë amerikane, ekipi drejtohet nga sekretari i forcave të armatosura Dan Driscoll, dhe pjesë e tij është gjithashtu shefi i shtabit ushtarak, gjenerali  Randy George, komandanti i lartë i forcave amerikane në Europë Gjeneral Chris Donahue, dhe majori Michael Ëeimer.

Driscoll dhe George janë zyrtarët më të lartë të ushtrisë amerikane që shkojnë për bisedime në kryeqytetin ukrainas që kur presidenti Trump erdhi në pushtet. 

“Sekretari Driscoll dhe ekipi mbërritën këtë mëngjes në Kiev në emër të administratës në një mision faktmbledhës për t'u takuar me zyrtarë ukrainas dhe për të diskutuar përpjekjet për t'i dhënë fund luftës”, deklaroi kolonel David Butler Zëdhënës i ushtrisë, përcjell A2 CNN.

Vizita e zyrtarëve të lartë vjen pas raportimeve për një plan sekretët të diskutuar mes Rusisë dhe SHBA për fundin e luftës, por që sipas burimeve është sinjalizuar edhe Ukraina. Reuters citon dy zyrtarë me dijeni mbi çështjen të thonë se Uashingtoni ka sinjalizuar presidentin Zelenski të pranojë një propozim të hartuar nga Amerika, i cili i kërkon Kievit të lëshojë territorin e Donbasit dhe disa armë në këmbim të garancive të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara dhe BE, transmeton A2 CNN.

Siç bëhet e ditur propozimi përfshin ndër të tjera përgjysmimin e përmasave të forcave të armatosura të Ukrainës. Një plan i tillë që nuk është konfirmuar zyrtarisht nga asnjëra palë, do të përbënte një hap të madh pas për Kievin. Shtëpia e bardhë ka refuzuar të komentojë mbi çështjen me sekretarin Rubio që tha se Uashingtoni do të vazhdojë të hartojë një listë me ide të mundshme për t’i dhënë fund luftës, bazuar në interesat e të dyja palëve në konflikt. Zelenski, i cili të mërkurën u takua me Erdogan në Turqi, nuk e përmendi planin në fjalë por kërkoi lidership efektiv nga SHBA. Ai tha se presidenti Trump ka fuqi të mjaftueshme për ti dhënë fund luftës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos