
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se lufta me Iranin mund të përfundojë së shpejti. Ai theksoi se kushti kryesor i Uashingtonit për arritjen e një marrëveshjeje është që Teherani të mos zotërojë armë bërthamore.
“Do të mbarojë së shpejti. Ne kemi nevojë për një garanci se nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore”, deklaroi Trump në një intervistë për radion KCMO të Kansas City-t.
Presidenti amerikan nuk dha detaje se si mund të arrihet një marrëveshje, por deklarata e tij vjen në një kohë kur po zhvillohen përpjekje diplomatike për t'i dhënë fund konfliktit.
Ndërmjetësuesit nga Katari janë rikthyer në Teheran, në kuadër të negociatave mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Sipas burimeve të cituara nga Reuters, Katari i ka dorëzuar palës iraniane një projektmarrëveshje për paqen.
Megjithatë, negociatat përballen me mosmarrëveshje të rëndësishme. Një zyrtar i lartë iranian i ka cilësuar propozimet të papranueshme, ndërsa Teherani ka bërë të qartë se nuk ka ndryshuar qëndrimin për programin e tij bërthamor.
SHBA kërkon që çështja bërthamore të jetë pjesë e negociatave që në fazën e parë. Nga ana tjetër, Irani kërkon heqjen e bllokadës ndaj porteve të tij dhe të sanksioneve që kufizojnë eksportet e naftës.
(A2 Televizion)