Aeroplanmbajtësja britanike HMS Prince of Wales, anija më e madhe luftarake që ka ndërtuar ndonjëherë Britania, është bashkuar me USS George Washington në Detin Timor më 18 korrik, në një demonstrim të fuqishëm ushtarak të aleancës transatlantike mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara.
Pamje spektakolare tregojnë momentin kur dy gjigantët detarë lundrojnë krah për krah gjatë stërvitjes shumëkombëshe Talisman Sabre 2025, nën fluturimet e avionëve luftarakë F-35C dhe F-35B, që përforcojnë edhe më tej mesazhin e gatishmërisë ushtarake.
Stërvitja përkon me një rritje të tensioneve në rajonin e Indo-Paqësorit, ndërsa Kina vijon ekspansionin e saj ushtarak dhe ndërtimin e flotës detare më të madhe në botë. Marrëdhëniet gjithnjë e më të ftohta mes Pekinit dhe Perëndimit, e bëjnë këtë bashkëpunim detar një simbol të qartë të aleancës dhe përkushtimit për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur.
Kjo është hera e parë që aeroplanmbajtëse të fuqizuara me avionë nga Britania dhe SHBA veprojnë së bashku në një formacion të përbashkët detar. Komandanti i Grupit të Goditjes Detare të Mbretërisë së Bashkuar, Komodori James Blackmore, tha se operacioni është një "dëshmi e fuqishme e aftësive luftarake dhe vendosmërisë së aleatëve për të bashkëpunuar në kohë krize", shkruan A2 CNN.
HMS Prince of Wales është në një mision tetëmujor global të koduar “Operacioni Highmast”, që përfshin stërvitje në Mesdhe, Lindjen e Mesme, Azinë Juglindore, Japoninë dhe Australinë, së bashku me aleatë nga 19 vende dhe mbi 35,000 trupa. E shoqëruar nga HMS Dauntless dhe tankeri RFA Tidespring, anija britanike u bashkua në Paqësor me anije të Australisë, Norvegjisë dhe Kanadasë.
Qeveria britanike nuk ka konfirmuar ende nëse flotilja do të kalojë nëpër ngushticën e kontestuar të Tajvanit, por një kalim i tillë do të përforconte sinjalin e vendosmërisë ndaj ambicieve kineze për ishullin që Pekini e konsideron territor të vetin. (A2 Televizion)