
Irani dhe Shtetet e Bashkuara shkëmbyen sulme të reja në orët e para të së enjtes, pak pasi presidenti amerikan Donald Trump premtoi një marrëveshje të favorshme për t’i dhënë fund luftës.
Në të dytin sulm brenda 3 ditëve, ushtria amerikane tha se kishte bombarduar një zonë ushtarake në Bandar Abbas, një port strategjik në jug të vendit.
Komanda Qendrore Amerikane sqaroi se forcat e veta kishin qëlluar gjithashtu 4 dronë sulmi iranianë, që siç tha, përbënin kërcënim rreth Ngushticës së Hormuzit. Sipas saj, aksioni ishte i matur, thjesht mbrojtës me qëllimin e ruajtjes së armëpushimit.
Ndërkohë, Garda Revolucionare e Iranit, që foli për shkelje të rëndë të armëpushimit, deklaroi se ishte kundërpërgjigjur duke shënjestruar një bazë ajrore amerikane. Sakaq, ushtria kuvajtiane njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore kishin interceptuar raketa armike dhe kërcënime dronësh, pa e specifikuar nga vinin.
Përshkallëzimi i ri që kërcënon të minojë armëpushimin e brishtë mes SHBA dhe Iranit, vjen pasi presidenti Trump hodhi poshtë pretendimet e mediave iraniane se ishte arritur një marrëveshje për rihapjen e Hormuzit. Ai tha se nuk ishte ende i kënaqur me propozimet e Iranit dhe u zotua për një ujdi të favorshme për SHBA.
“Ata duan dëshpërimisht një ujdi, sepse nuk kanë zgjidhje. Ekonomia e tyre është në rënie të lirë. Inflacioni ka shkuar në 200 për qind, paraja e tyre nuk ka më vlerë dhe sistemi ekonomik është në kolaps. Mendojnë se do të më lodhin, por kjo nuk do të funksionojë sepse mua nuk më intereson fare për zgjedhjet e mesit të mandatit. Është shumë e thjeshtë, Irani nuk mund të ketë armë bërthamore. Po e bëj këtë për botën”.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë shtoi më tej se SHBA nuk po diskutonte lehtësimin e sanksioneve ndaj Iranit dhe tha se, në rastin e një ujdie të mundshme, Ngushtica e Hormuzit do të hapej menjëherë, por nuk do të kontrollohej nga askush. Al Jazeera raporton se 4 anije që po përpiqeshin të kalonin ngushticën u detyruan të kthehen mbrapsht pasi varka të pasdaranëve hapën zjarr. (A2 Televizion)