
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së ka bërë thirrje për “mbrojtjen e menjëhershme të objekteve shëndetësore, punonjësve të shëndetësisë, ambulancave dhe pacientëve” në të gjithë Libanin, mes sulmeve izraelite.
Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se “një nga spitalet më të ngarkuara për menaxhimin e traumave” në jug të Libanit, Spitali Qeveritar i Tebnines, është “dëmtuar” nga dy sulme më 12 dhe 14 prill.
Në një postim në rrjetet sociale, ai tha se të paktën 11 punonjës janë plagosur, ndërsa departamenti i urgjencës dhe pajisjet e tij janë shkatërruar. Ghebreyesus shtoi se edhe “farmacia dhe klinikat ambulatore” të spitalit janë dëmtuar.
Ai tha se “OBSH ka regjistruar 133 sulme ndaj kujdesit shëndetësor, me 88 të vdekur dhe 206 të plagosur”, që nga fillimi i përplasjeve të reja mes Izraelit dhe grupit libanez Hezbollah më 2 mars.
“Pesëmbëdhjetë spitale dhe 7 qendra të kujdesit parësor shëndetësor janë dëmtuar, ndërsa 5 spitale dhe 56 qendra të kujdesit parësor janë mbyllur”.
Ghebreyesus bëri thirrje për “qasje të sigurt, të vazhdueshme dhe pa pengesa humanitare në të gjithë Libanin, në mënyrë që shërbimet jetike të mund të ofrohen pa vonesë dhe pa rrezik për ata që i ofrojnë apo i marrin ato”. (A2 Televizion)