Më shumë se 1.4 milionë njerëz në Puerto Rico mbetën pa energji elektrike të mërkurën, pasi një ndërprerje e madhe e energjisë elektrike goditi të gjithë ishullin. Shkëputja ndodhi rreth orës 12:40 të mesditës, pikërisht në momentin kur një stuhi gjeomagnetike e fuqishme po godiste Tokën.
Stuhitë gjeomagnetike janë ndërprerje të përkohshme të fushës magnetike të Tokës, të shkaktuara nga shpërthime të mëdha të plazmës diellore. Këtë herë, stuhia arriti nivelin G4 – një nga nivelet më të larta në shkallën nga G1 në G5 – dhe mund të shkaktojë mbingarkesë në rrjetet elektrike përmes rrymave të induktuara gjeomagnetikisht (GIC).
Dr. Tamitha Skov, një fizikane e pavarur e motit hapësinor, tha për Daily Mail se ndërprerja e energjisë ndodhi pothuajse njëkohësisht me përshkallëzimin e stuhisë në nivelin G4. Ajo shtoi se këto rryma të induktuara mund të kenë mbingarkuar transformatorët dhe sistemet e transmetimit, veçanërisht në një rrjet tashmë të brishtë, shkruan A2 CNN.
Sipas Josué Colón, drejtuesi i sistemit energjetik të Puerto Rikos, ndërprerja nisi me një defekt në linjat e transmetimit, që më pas shkaktoi fikjen automatike të të gjithë gjeneratorëve – edhe pse vetëm një duhej të hynte në modalitet mbrojtës.
Kompania Luma Energy, përgjegjëse për shpërndarjen dhe transmetimin e energjisë, raportoi të enjten se kishte rikthyer energjinë për rreth 90% të konsumatorëve. Inxhinieri Pedro Meléndez deklaroi se linja ku ndodhi defekti ishte inspektuar vetëm një javë më parë dhe nuk kishte shfaqur rreziqe të dukshme.
Ndërprerja masive paralizoi jetën në ishull: qindra biznese, përfshirë qendrën më të madhe tregtare në Karaibe, u mbyllën; spitalet dhe aeroporti kryesor kaluan në gjeneratorë rezervë; dhe qindra pasagjerë të trenave u detyruan të ecin në këmbë për të dalë nga linjat, shkruan A2.
Stuhia diellore kishte nisur të martën dhe kulmoi të mërkurën, duke shkaktuar probleme edhe në sistemet GPS në SHBA dhe Afrikën e Jugut. (A2 Televizion)