Të shtëna me armë në një festë rave në Zvicër, vritet 22-vjeçarja italiane. Nuk përjashtohet terrorizmi

Nga A2 CNN
30 Gusht 2026, 21:11 | Bota

Të shtëna me armë në një festë rave në

Një 22-vjeçare italiane, Maria Spinelli, me origjinë nga Atri i Abrucos, është viktima e një sulmi me armë zjarri gjatë një rave party në Aarau, në kantonin Argau të Zvicrës.

Të shtënat ndodhën në hipodromin e Schachen, ndërsa festa po i afrohej fundit. Përveç viktimës, pesë persona mbetën të plagosur rëndë, mes tyre dy italianë.

Policia zvicerane po heton rrethanat e ngjarjes dhe nuk përjashton as pistën terroriste, megjithëse autoritetet kanë bërë thirrje për kujdes dhe kanë theksuar se ende nuk mund të nxirren përfundime.

Rasti po ndiqet nga Farnesina, Ambasada italiane në Bernë dhe Konsullata e Përgjithshme në Bazel. Autoritetet u kanë kërkuar dëshmitarëve të dorëzojnë foto dhe video që mund të ndihmojnë hetimin.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni shprehu ngushëllimet për familjen e 22-vjeçares dhe solidaritetin me të gjithë të plagosurit. Ndërkohë, ministri i Jashtëm Antonio Tajani zhvilloi një bisedë me homologun zviceran Ignazio Cassis, i cili premtoi bashkëpunim të plotë për kapjen e autorit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos