Golat kuqezi vijnë nga Turqia, aty ku dy prej sulmuesve të Kombëtares shqiptare kanë lënë sërish gjurmën e tyre.Ernest Muçi po kalon një moment pozitiv me Trabzonsporin. Fantazisti kuqezi gjeti golin e parë të sezonit, duke realizuar të katërtin në fitoren e thellë 5-0 ndaj Gençlerbirliği.
Muçi ishte protagonist edhe në javët e para të kampionatit, teksa përveç golit të shënuar këtë herë, numëron edhe dy asiste në këtë sezon. 25-vjeçari po kërkon të konsolidohet gjithnjë e më shumë si një nga lojtarët kryesorë të skuadrës turke, në një periudhë kur Trabzonspori ka bërë një merkato të bujshme.
Në Turqi vazhdon të shkëlqejë edhe Rey Manaj. Sulmuesi shqiptar u kthye edhe një herë në heroin e Sivassporit, duke shënuar golin e fitores në transfertën ndaj Antalyasporit. Një sukses i rëndësishëm për skuadrën e tij, pasi ishte fitorja e parë sezonale.
Manaj konfirmohet kështu si një nga emrat më të rëndësishëm të Sivassporit dhe vazhdon të jetë një pikë referimi për repartin ofensiv. Dy gola, dy histori të ndryshme, por i njëjti protagonizëm kuqezi në futbollin turk. Ernest Muçi dhe Rey Manaj po dërgojnë sinjale të forta, teksa Shqipëria vijon të ketë sulmuesit e saj në formë dhe me aromë goli. (A2 Televizion)