Tragjedi për Vitin e Ri, dhjetëra viktima dhe të plagosur nga zjarri në Zvicër

Nga Rosalba Bejdo
1 Janar 2026, 14:22 | Bota

Festimet e Vitit të Ri u kthyen në një tragjedi të madhe në Crans-Montana, një nga zonat më të frekuentuara të skive në Zvicër. Dhjetëra persona besohet se kanë humbur jetën dhe rreth 100 të tjerë kanë mbetur të plagosur pas shpërthimit të një zjarri në një lokal të mbushur plot me njerëz që po festonin ndërrimin e viteve.

Shkaku i tragjedisë ende nuk është i qartë, por sipas të dhënave të pakonfirmuara, fishekzjarrët mund të kenë pasur rol në nisjen e flakëve. Ministria e Jashtme italiane deklaroi se informacionet e policisë zvicerane flasin për rreth 40 viktima, megjithatë policia nuk ka dhënë një numër zyrtar gjatë konferencës për shtyp.

“Në këtë moment, të gjithë të plagosurit po marrin trajtimin e nevojshëm. Kemi numëruar rreth 100 të lënduar, shumë prej tyre në gjendje të rëndë, dhe fatkeqësisht dhjetëra të vdekur. Nuk mund ta fsheh, jemi të tronditur nga ajo që ka ndodhur”, tha komandanti i policisë lokale, Frederic Gisler.

Flakët shpërthyen rreth orës 01:30 të mëngjesit në lokalin e quajtur “Le Constellation”, në resortin turistik në jugperëndim të Zvicrës. Sipas raportimeve, disa prej viktimave dyshohet të jenë turistë nga vende të tjera.

Autoritetet njoftuan se 10 helikopterë dhe 40 ambulanca u mobilizuan për emergjencën, ndërsa shumë persona po trajtohen për djegie, me shumicën e të plagosurve në gjendje të rëndë. Reparti i kujdesit intensiv në Valais është mbushur plot me pacientë dhe disa prej tyre po transportohen drejt spitaleve të tjera.

Zona është izoluar plotësisht dhe mbi Crans-Montana është shpallur një ndalim fluturimi. Policia konfirmoi që në fillim se ngjarja nuk po trajtohet si një sulm terrorist. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos