Trump mbi propozimin e Iranit: Plotësisht i papranueshëm! Pezeshkian: Nuk ulim kokën përballë armikut

Nga A2 CNN
11 Maj 2026, 08:07 | Bota

Trump mbi propozimin e Iranit: Plotësisht i papranueshëm! Pezeshkian:

Presidenti amerikan Donald Trump e ka cilësuar reagimin e Iranit ndaj propozimeve të SHBA-ve për t’i dhënë fund luftës si “plotësisht të papranueshëm”, shkruan A2CNN. 

Agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Tasnim tha se propozimi i Teheranit, i dërguar përmes Pakistanit, i cili ka shërbyer si ndërmjetës, përfshinte një fund të menjëhershëm të luftës në të gjitha frontet, ndalimin e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane dhe garanci për të mos pasur sulme të tjera ndaj Iranit.

Armëpushimi, i cili synon të lehtësojë bisedimet për t’i dhënë fund luftës së nisur nga SHBA-ja dhe Izraeli në shkurt, është respektuar kryesisht, pavarësisht shkëmbimeve të herëpashershme të zjarrit.

Më herët gjatë kësaj jave, Trump përsëriti se lufta në Iran do të “mbarojë shpejt”.

Por kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se stoku i uraniumit të pasuruar të Iranit duhet “të hiqet” përpara se lufta kundër Iranit të konsiderohet e përfunduar.

“Ka ende impiante pasurimi që duhet të çmontohen”, tha Netanyahu në një intervistë për emisionin “60 Minutes” të CBS.

Sipas mediave shtetërore iraniane, propozimi i Teheranit përfshin gjithashtu një kërkesë për kompensim për dëmet e luftës dhe theksimin e sovranitetit iranian mbi Ngushticën e Hormuzit.

Të dielën, presidenti iranian Masoud Pezeshkian nuk iu referua drejtpërdrejt propozimit të Teheranit, por tha: “Ne kurrë nuk do ta ulim kokën përpara armikut dhe, nëse lindin bisedime për dialog apo negociata, kjo nuk do të thotë dorëzim apo tërheqje.”

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos